Policia ka liruar hapësirën publike në plazhin e Borshit dhe në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë. Policia ka sekuestruar në total 38 çadra dhe 66 shezlongë.
Njoftimi i plotë:
Himarë/Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, i nisur gjatë fundjavës, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Himarës, faza e dytë e këtij operacioni.
Gjatë kësaj faze janë sekuestruar në total 38 çadra dhe 66 shezlongë, që ishin vendosur në mënyrë të paligjshme në Borsh dhe në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë.
Procedohen 3 penalisht shtetas që kishin zënë hapësirat publike duke vënë çadrat dhe shezlongët në mënyrë të paligjshme dhe fshihnin të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë kanë vijuar operacionin e nisur gjatë fundjavës, në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Himarës, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të zënies së hapësirave publike me vendosjen e çadrave dhe shezlongëve në mënyrë të paligjshme.
Si rezultat i fazës së dytë të operacionit policor të koduar “Plazh i lirë”, janë evidentuar 3 raste të kësaj paligjshmërie, 1 rast në Borsh dhe 2 raste në vendin e quajtur Maraç”, Himarë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-A. M., banues në Himarë dhe E. T., banues në Tiranë, pasi duke vendosur në mnyërë të paligjshme 20 çadra dhe 30 shezlongë, në vendin e quajtur “Maraç”, Himarë;
-A. Z., 52 vjeç banues në Borsh, Himarë, pasi kishte vendosur në mnyërë të paligjshme 18 çadra dhe 36 shezlongë, në plazhin e Borshit.
Materialet proçedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Ushtrimi i aktivitetit tregtar i paregjistruar”.
Operacioni “Plazh i lirë” vijon.