Nga Endri Tafani/
Ata shqiptarë që thonë që USA u fut në Kosovë në 1999 “për interesat e veta”, nuk bëjnë gjë tjetër veçse zhvlerësojnë gjithë gjenocidin serb në Kosovë, duke thënë praktikisht të njëjtën gjë që thonë ekstremistët serbë, që “ndërhyrja amerikane në Kosovë nuk ishte çështje parimore dhe e të drejtave njerëzore, por çështje interesash, pra që serbët janë viktima “të interesave amerikane”. E bukura është që kur i pyet kush janë këto interesa konkretisht, asnjë nuk di të thotë një gjë të saktë. Ca thonë “pasuritë minerare Trepça” etj, ca thonë “pozicioni gjeostrategjik i Kosovës”. Asnjë fakt, shifër apo logjikë, veç fjalë në ajër. Po që për pasuritë minerare të Kosovës as nuk ia vlen bara qerane për USA. Me shifra konkrete ne dore. Nuk ia vlen. Përveç të tjerave dhe për arsyen e thjeshtë që me atë lloj mineralesh dhe aq pak sipërfaqe toke, nuk kemi as mundësinë fizike gjeologjike “të notojme në para” nga pasuritë minerale dhe për më tepër lufta dhe mbajtja e një ushtrie amerikane jashtë territorit të saj është shumë e shtrenjtë. Shumë më e shtrenjtë se gjithë pasuritë minerale të Kosovës.
Pozicioni gjeostrategjik i Kosovës? Mos flasim budallalliqe. Çfarë ofron Kosova nga pikëpamja gjeostrategjike që nuk e ofron Turqia, Bullgaria, Rumani dhe gjithë krahu lindor i NATO deri në Finlandë? Çfarë ofron Kosova që nuk e ofron Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Kroacia, Sllovenia? E në të gjithë këto vende trupat amerikane kanë akses dhe baza të NATO-s. Pra asgjë teorikisht dhe praktikisht. Per t’i rënë akoma më shkurt. Nëse del ndonjëri që insiston akoma “me pozicionin gjeostrategjik të Kosovës”, mund ti mbyllesh gojën në mënyrë banale duke i thënë që mjafton një bazë amerikane në Kukës dhe është e njëjta gjë, se realisht për aq sipërfaqe sa ka Kosova është e njëjta gjë. Kuptohet për ata që dinë gjeografinë. Për ata që duan të kundërshtojnë le të përmendin diçka konkrete për pyetjet me sipër jo teorira e filozofi politike. Fakte konkrete njerëz për pyetjet me sipër. Por nuk e thotë asnjëri se kur bie analiza mbi fakte konkrete pro dhe kundër, shpenzime dhe përfitime, aty në Kosovë apo alternativë, dalin keq në debat.
Pse ndodh ky fenomen? E para, vjen nga nga modeli i shkollës shqiptare që nuk stimulon logjikën por mësimin përmendësh. E dyta, për një grup njerëzish vjen nga mungesa totale e shkollës që krijon komplekse inferioriteti è që që çon në njerëz të flasin ndryshe për tu dukur inteligjente sepse “kuptojnë gjëra që ata me shkollë nuk i dinë”. E treta, vjen nga një mungesë totali morali e parimesh në jetë. E duke mos qenë vetë parimore dhe e ndërtojnë jetën “me të futme” në çdo moment do kërkojnë “të futmen” dhe kur nuk e gjejnë do e sajojnë. E katërta, është çështje mentaliteti nga komunizmi ku njerëzit nuk mendonin me kokën e tyre por me atë të Partisë. Partia thoshte “Amerika keq” e këta “Amerika keq”, Partia thoshte “Amerika mirë” è këta “Amerika mirë”. E pesta, ka njerëz të parealizuar në jetë, që kanë grumbulluar një mllef ndaj botës dhe që shajnë e sulmojnë të gjithë. Për fat të keq gjen plot shqiptarë të tillë. Ironikja është që è mbajnë veten për patriote, por që flasin praktikisht si nacionalistët ekstremiste serbë që ua ka fajin Amerika që u fut per interesat e veta në Kosovë dhe jo për parime dhe mbrotje të njerëzve e të një kombi nga gjenocidi. Por këta njerëz nuk è kuptojnë. Bile me verbërinë e tyre dhe të sulmojnë.
Gjithsesi mendoj që ato 5 arsyet që thashë sipër qëndrojnë dhe nëse duam të ecim para duhet t’i adresojmë. Shkollimi i mirë bazuar në dije e logjikë, edukata ne familje e shoqëri me moral e parime, lufta ndaj fanatizmit politik, t’i jepet mundësia individit të realizohet në jetë. Lufta è Kosovës ishte parimore. Nuk është hera e parë që Amerika udhëhiqet nga parimet për një politikë ndërkombëtare. Shqiptarët besoj e kujtojnë sepse e citojnë shpesh presidentin Wilson, apo siç ishte plani Marshall pas Luftës së Dytë Botërore që ndihmoi në rindërtimin e Europës. Nuk është gjithmonë interes. Ka luftë për interesa ka dhe luftë për parime. Vendet e pasura mund t’ia lejojnë vetes luksin të luftojnë për parime. Ose mbase ngaqë kanë luftuar për parime, kanë arritur aty ku janë.