Në një postim të dytë në Twitter kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me dhunën në parlamentin e Kosovës, duke iu përgjigjur akuzave të miqve të tij pse ka mbrojtur Albin Kurtin. Në reagimin e tij kreu i qeverisë shqiptare shprehet se Kosova nuk ia ka borxh askujt shfaqjen skandaloze të sotme. Ai i bëri sërish thirrje opozitës që të distancohet nga shfaqja të tilla.

“Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjuajt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjuajt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjuajti i pari atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme. Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë!”, shkruan Rama.