Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka theksuar se ideja e kryeministrit Edi Rama sa i takon dialogut Kosovë-Serbi ka qëllim të mirë ndaj është “i mirëseardhur”.

“Mendoj se çdo formë që mund të rrisë ndikimin dhe efektivitetin është i mirëseardhur. Nuk mund të vazhdojë kështu ky eskalim midis dy vendeve (Kosovë-Serbi) sepse po mban peng rajonin. RMV dhe Shqipëria kanë obligim për të kontribuar në normalizim të raporteve dhe ky normalizim nënkupton njohjen e ndërsjellë”, tha ai për “Euronews Albania”.

Kreu i Qeverisë shqiptare, ditë më parë, parashtroi një kërkesë të re dhe të qartë sa i takon dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Rama propozoi ndryshimin e formatit të procesit të dialogut nga ai i zakonshmi në një konferencë normalizimi nën kujdesin dhe trysninë e ndërkombëtarëve pa të drejtë daljeje – njëlloj Dayton-i 2.0.

Megjithatë sipas kryeministrit Albin Kurti, Kosova në të kaluarën ka pasur konferenca ndërkombëtare, ndërsa tash e ka Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit, e cila sipas tij duhet zbatuar.

Ndryshe në margjinat e samitit të Bashkimit Evropian, shefi i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka mbështetur qartësisht idenë dhe propozimin e kryeministrit Rama për mbajtjen e një konference normalizimi.

“Dua të them se ne gjithashtu mbështesim idenë për të organizuar sa më shpejt një konferencë me disa shtete anëtare të BE-së shumë aktivë në të gjitha përpjekjet ndërmjetësuese, me koordinimin e SHBA-ve”, u shpreh Michel.