Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë kryesoi delegacionin shqiptar në takimin bilateral për Kapitujt 14 “Politikat e Transportit” dhe Kapitullin 21 “Rrjetet Trans-Europiane”, si pjesë e procesit të negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Pjesë e delegacionit shqiptar ishin edhe përfaqësues nga institucione të ndryshme, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor, Hekurudha Shqiptare, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Autoriteti i Aviacionit Civil, Drejtoria e Përgjithshme Detare, Autoriteti Portal Durrës, Agjencia për Efiçencën e Energjinë, Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor, Task Forca e Transportit Rrugor dhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial.
Gjatë këtij takimi, delegacioni shqiptar prezantoi nivelin e përafrimit të Shqipërisë dhe zbatimit të acquis të BE-së, në sektorët e transportit rrugor, sigurinë rrugore, hekurudhat, transportin e kombinuar, aviacionin, transportin detar, rrugët ujore të brendshme dhe rrjetet trans-evropiane, TEN-T. Gjithashtu, delegacioni shqiptar paraqiti progresin e deritanishëm të Shqipërisë në kuadër të zbatimit të rekomandimeve dhe përmbushjes së detyrimeve të parashtruara nga Komisioni Evropian.
Progresi i pasqyruar, si dhe puna e bërë në të gjithë sektorët transportit dhe TEN-T u mirëprit dhe u vlerësua nga ekspertët e Komisionit.
Legjislacion i BE-së për transportin synon të përmirësojë funksionimin e tregut të brendshëm duke promovuar shërbime të sigurta, efikase dhe në mbrojtje të mjedisit e në të mirë të përdoruesit. Qëllimi i politikave të Rrjeteve Trans-Evropiane (TEN-T) është të integrojnë një infrastrukturë evropiane ndërvepruese në fushat e transportit, energjisë dhe telekomunikacionit, në këtë kuadër të identifikojnë standarde teknike dhe projekte prioritare me interes të përbashkët, si dhe të zhvillojnë instrumente financimi për zbatimin e tyre.
Takimet bilaterale do të pasohen nga raporti screening i Komisionit Evropian, i cili paraqet rekomandimet për hapat pasardhës që duhen ndërmarrë në kuadër të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.