Kryeministri Edi Rama do të nisë nesër një tur ballkanit, ku në fokus do të jetë e ardhmja e nismës “Open Ballkan”.

Turi është planifikuar të zhvillohet në datat 6 dhe 7 Korrik. Kreu i qeverisë do të takohet me homologët dhe përfaqësuesit e qeverive të Maqedonisë së Veriut, Kosovës, Bosnjës dhe Hecergovinës, Malit të Zi dhe Serbisë.

Turin do ta nisë nga Shkupi i Maqedonisë së Veriut, ku Rama do të takojë kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe më pas do të udhëtojë drejt Prishtinës së Kosovës, ku pritet të takojë presidenten Vjosa Osmani.

Të premten, ai do të shkojë Podgoricë të Malit të Zi, për të biseduar me kryeministrin Dritan Abazoviç, në Beograd të Serbisë për presidentin Aleksandër Vuçiç dhe në Sarajevë të Bosnjë dhe Hecergovinës, ku pritet të takojë kryesuesen e Këshillit të Ministrave, Borjana Kriston.

Ndër takimet me më shumë interes janë cilësuar ata në Kosovë dhe Serbi, të cilat vijnë në një kohë konflikti mes dy shteteve, ku Rama ka ndërhyrë me një propozim.

Kreu i qeverisë shqiptare ka hedhur idenë e një konference ndërkombëtare për Kosovën dhe Serbinë, si një zgjidhje për tensionet mes dy shteteve, propozim ky që është refuzuar nga Albin Kurti.