Sandro Tonali është futbollisti i ri i Newcastle, me palët që gjetën akord deri në vitin 2028. Pas 3 sezonesh me Milanin, të kurorëzuar me një titull kampion, mesfushori largohet nga Italia për të zbarkuar në Premier League për një shifër afërsisht prej 80 milionë eurosh.

Një përqindje e shumës do shkojë edhe te Brescia, me “Dallëndyshet” që e kanë formuar Tonalin si futbollist. “Ka qenë një udhëtim i mrekullueshëm së bashku. Familja kuqezi ju uron më të mirat!”, shkruan Milan në rrjetet sociale.

I lindur në vitit 2000, 23-vjeçari Tonali tashmë me pushime pas kampionatit zhgënjyes Evropian U-21, do t’i bashkohet ekipit të ri në javët në vijim, me klubin e drejtuar nga Eddie Howe. Ai do të marrë pjesë edhe në Ligën e Kampionëve.