Taksa e banesës, vlera e së cilës nuk do të llogaritet më mbi bazën e çmimit të referencës së pasurisë, por mbi vlerën e tregut pritet të implementohet pas tre viteve në 2026.
“Pr/ligji në këto momente është ende në fazën e diskutimeve dhe ministrija e Financave po vijon konsultimet me universitetin e Tiranës, dhe atë Bujqësor e do të vijojmë konsultimet deri në një projekt final. Ende nuk kemi një draft të finalizuar për taksën e pasurisë. Jemi ende në konsultim. Po punojmë me universitetin e Tiranës, dhe Bujqësor e do të vijojmë konsultimet me qëllim që kjo reformë madhore të zbatohet në mënyrën më të mirë” tha Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në konferencën e sotme për median ku prezantoi dhe shifrat e ekonomisë gjatë 5 mujorit të parë të 2023.
Qeveria ka një vit që ka nisur përgatitjet për këtë reformë duke vijuar konsultimet me pedagogë të universiteteve të Tiranës dhe Bujqësor, e kur ka një datë se kur parashikohet të implementohet ka nisur puna ngushtësisht në të gjitha nivelet institucionale.
Është një taksë që do të marrë kohën e vet për tu implementuar. Ne parashikojmë që hyrja në fuqi e kësaj takse për ndërtesat të jetë në 2026. Ndryshimi kryesor që do të sjellë është vlerësimi i pasurive dhe pronave me çmimin e tregut. Është ndryshim thelbësor që ka nevojë për angazhim shumë të madh jo vetëm në kuadër të hartimit të ligjit por marrjen e masave institucionale për zbatimin e tij. Kjo është arsyeja pse nisëm punën që vitin e kaluar dhe ndonëse duket që viti 2026 është shumë larg. Është reformë madhore dhe duhet bërë në kohën e duhur dhe marrë koha e duhur.