Nga Mero Baze/
Nëse do të japësh apartamentin tënd në airbnb apo booking në Athinë nuk është aq e lehtë sa në Shqipëri. Për tu regjistruar klient i airbnb, duhet të shkosh së pari tek zyra e taksave dhe të marrësh një numër tatimor falas, në të cilin duhet të deklarosh si aktivitet dhënien e apartamentit në airbnb.
Pasi ta bësh këtë airbnb të regjistron, ndërsa zyra e taksave në fund të vitit të kërkon deklarim taksash njësoj si biznes për të ardhurat nga apartamenti. Nëse ato kalojnë mbi 15 mijë euro, tatimi kalon në 35 për qind ndërsa ti je i kufizuar që apartamenti të jetë në airbn vetëm 3 muaj fizikisht. E njëjta gjë ndodh dhe kur jep apartamentin me qira normale mujore apo në platforma të tjera.
E gjithë kjo është një kuadër rregullator që mundëson që çdo qytetar të nxjerr fitime nga apartamenti i tij por të mos kthehet në një konkurrues të industrisë së hoteleve dhe nga ana tjetër të jetë tërësisht i fiskalizuar dhe i deklaruar.
Kjo bën që Greqia të ketë statistika perfekte për turizmin, duke përjashtuar një informalitet normal për njerëzit që operojnë për të ofruar shtëpi me qira për miq apo të njohur, jashtë operatorëve të tregut.
Por në Shqipëri shifrat janë shokuese.
Saranda ka të deklaruara 2400 dhoma dhe 4800 shtretër në dispozicion të shërbimeve turistike. Me këtë shifër i bie që Saranda të mos ketë të deklaruar as një të pestën dhomave që jepen për shërbime turistike jashtë hoteleve.
Kryetari i ri i Bashkisë, i cili po shqyrtonte pritshmërinë fiskale nga bumi i turizmit, e kishte të pamundur ta besonte. Një ekip verifikimi në terren provoi se kaq dhoma gjenden vetëm në një lagje periferike të qytetit.
Informaliteti në shërbimet turistike në Shqipëri është në fakt problemi kryesor i kësaj industrie dhe konkurrencës së pandershme brenda saj, i cili duhet të zgjidhet përmes një sistemi fiskal interkativ me agjentët e mëdhenj turistik të cilët shmangin informalitetin.
Një rrugë e duhur është marrëveshja zyrtare e shtetit shqiptar me airbnb dhe booking si në rastin e Greqisë.
Këto marrëveshje duhet të synojnë formalizmin më shumë se penalizmin. Pra nuk është e domosdoshme që ne të shtojmë taksa për ata operatorë, por e rëndësishme është që kush shet dhoma në airbnb dhe booking ti deklarojnë dhe të paguaj taksën e ulët 6 për qind që është për shërbime hotelerie.
Kjo është një mënyrë e shpejt për të pasur një kulturë ët re të shërbimeev turistike dhe rritjes së përgjegjësisë së ofruesve të shërbimit.
Ata janë kështu të identifikuar, të tatuar dhe mbi të gjitha pjesë legale e industrisë së turizmit.
Shqipëria jep sot dhoma me qira në airbnb dhe booking nga qendra e Tiranës deri në fshatrat më të thellë që nuk i shkon mendja askujt dhe kjo është një historie e re zhvillimit e cila ka nevojë për legjislacion të ri por jo penalizues, por formalizues.
Të gjithë ata që bëjnë sikur çuditen se në Shqipëri hynë 7 milion turistë por vetëm 1 milion vet flenë nëpër hotele, në fakt nuk duan të kuptojnë se pjesa tjetër është informale. Nuk është se ata nuk paguajnë, por thjesht është biznes në të zezë.
Ndaj formalizmi përmes agjentëve gjigand të kësaj industrie si airbnb, Booking dhe platforma të tjera, është nevojë jetike.
E përsëris që nuk duhet të shoqërohet me taksa të tjera shtesë, por me detyrimin të dorzojnë bilanc në fund të vitit për dhomat e dhëna me të paguajnë taksën minimale 6 për qind të turizmit. Pastaj do të shikoni që Saranda nuk ka 2400 dhoma por ndoshta 24 mijë dhe në Shqipëri nuk kanë fjetur vetëm 1 milion turistë, por ndoshta 7 milionë.