Më 11 korrik 2023, nga Heliopolisi i Egjiptit arriti në Gjenevë Andon Zako Çajupi. Dhe filloi të bridhte nëpër qytet…
Nga Enver Robelli/
Shkrimtarët që nuk udhëtojnë, nuk dinë të shkruajnë. Ose ndoshta dinë, por jo aq mirë. Të rrallë janë ata autorë që kanë shkruar vepra të mira pa lëvizur vendi. Po të rrinte Johann Wolfgang von Goethe vetëm në Gjermani, në një fshat a qytet të njohur të tij, në një ambient të mirënjohur, ai zor se do të shkruante vepra të mëdha, vepra klasike. Ishte 37-vjeçar kur inkognito shkoi në Itali, ku qëndroi dy vjet. Dhe shkroi: shënime në ditar, reminishenca, letra, raporte. “Italienische Reise”, udhëtimi në Itali apo udhëtimi italian, si të doni, është ndër udhëpërshkrimet më të bukura të letërsisë botërore. Pa këtë udhëtim për këtë janë të bindur shumë studiues të letërsisë gjermane, Goethe nuk do të shkruante veprat e mëvonshme, të mëdha.
Amerikani Mark Twain udhëtoi nëpër Evropë dhe në viset gjermane dhe shkroi një ndër humoreskat më mira mbi gjuhën gjermane, të cilën, sipas tij, nuk e kupton askush, nuk mund ta mësojë askush, e cila është sfidë e pakalueshme për t’u mësuar, e kështu me radhë. Natyrisht alarmi i Mark Twainit nuk është i vërtetë, por thelbi i satirës është teprimi.
Në vitet 1930 nga Shqipëria e Ahmet Zogut në Spanjë vajti Petro Marko. Ishte republikan, idealist, shkrimtar ambicioz, përkrahës i luftëtarëve spanjollë që kundërshtonin regjimin e Frankos. Nga Spanja, Petro Marko u kthye me mjaft material për të shkruar romanin “Hasta la vista”. Po të mos shkonte, as këtë libër nuk do ta shkruante, së paku jo siç e ka shkruar.
Po të mos kishte vajtur në Ulqin shkrimtari Ramiz Kelmendi, nuk do të ishin shkruar as “Letrat prej Ulqini”. Ja një mëlmesë nga ky libër: “Tridhjetëmijë ‘stranca’ ka Ulqini, or Muho. Kanë ardhë pej gjithsekejt: pej Sarajevet, pej ‘Skopjet’, pej Beligradi, pej ‘Gjakovicet’… Gjashtëmbëdhjetë ‘pruga’ plat e përplat vijnë në ditë në Ranë, para hotelit ‘Repuplikës’. Pa, pa. S’isht mahi”. – Po, pra, letërsia nuk është mahi – edhe kur është mahi.
Më 11 korrik 2023 nga Heliopolisi i Egjiptit arriti në Gjenevë, Andon Zako Çajupi. Kishte fluturuar nga Kajro në Romë dhe nga Roma në Gjenevë, me një avion të një kompanie të lirë. Easy! Nga lartësia prej 10 mijë metrash kishte parë detin, i cili ishte po aq i kaltër sa atë ditë të vitit 1887 (apo ishte 1888?) kur erdhi me anije nga Aleksandria në një port italian dhe nga aty vazhdoi udhën për në Gjenevë.
Andon Zako Çajupi e kishte zgjedhur 11 korrikun 2023 për të vizituar Gjenevën, sepse kjo ishte ditëvdekja e tij. Ishte një përvjetor i rëndësishëm për të që të kujtojë kohën e kaluar në Gjenevë. Në aeroportin e Gjenevës, Andon Zakoja nga Zagoria e mori trenin e kompanisë zvicerane të hekurudhave SBB/CFF dhe pas pak minutash zbriti në peronin numër tre në stacionin qendror të trenit në Gjenevë. Mendoi pak se çfarë do të bënte së pari?
Nisi të kërkonte varrezat për të gjetur varrin e gruas së tij zvicerane, e cila kishte vdekur gjatë lindjes së djalit të tyre – Etjenit. Kështu e quanin, në fakt emri i tij ishte Stefan. Ndërsa po kërkonte varrin e Evgjenisë, kaloi pranë përmendores së filozofit Jean-Jacques Rousseau, pastaj pranë selisë së Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, selisë evropiane të OKB-së dhe u ndalë para punëtorisë së një orëtari që doli të jetë një mjeshtër me origjinë nga Kosova, i ardhur në këtë qytet gjatë luftës së fundit. Një djalë nga Zhegra e Gjilanit! Në çantën e tij Andon Zakoja mbante një kopje të gazetës “New York Times”, të cilën e kishte blerë në stacionin e trenit në Kajro, sepse duke e shfletuar i kishte rënë në sy një shkrim për mjeshtrin e orëve R.R.
Rrethina e Gjenevës ia kujtonte Andon Zakos Zagorinë, krahinën jugore të Shqipërisë, ku ishte lindur në ditët e para të pranverës së vitit 1866: kodra të mbuluara me borë, fusha të blerta, lugina me bimësi të dendur.
Avokati Andon Zako kujtoi ditët e vitet e kaluara në Gjenevë – si student i drejtësisë, mbase i pari ose ndër të parët shqiptarë në Universitetin e Gjenevës, të themeluar në mesjetë nga Jean Calvini, teologu i famshëm i kishës reformatore. Pasi fjeti në një hotel në periferi të Gjenevës, Andon Zakoja të nesërmen herët bleu gjysmë kilogrami bukë dhe pak djathë dhe u nis drejt Villa Diodati, një shtëpi e bukur afër Gjenevës, të cilën më 1816 e kishte marrë me qira një poet britanik me emrin George Gordon Byron, më vonë i njohur si Lordi Byron (ose: Lordi Bajron). Ai qëndroi në Zvicër para se t’i bashkohej lëvizjes çlirimtare greke kundër osmanëve, por në kohë të lirë e vizitoi Ali Pashën në Tepelenë dhe pasi u kthye në Prevezë ia shkroi një letër nënës së tij ku me plot gëzim tregonte se pashai me mjekër të bardhë e kishte pritur mirë me mjaltë e bajame dhe i kishte thënë se mund ta vizitonte kur të donte, madje edhe natën.
Aha! Në një librari afër stacionit të trenit në Gjenevë Andon Zakoja bleu librin “Pallati i ëndrrave” (jo atë të një autori nga Gjirokastra), por të shkrimtares holandeze Tessa de Loo, e cila në shekullin 21 ka ecur gjurmëve të Bajronit nga Greqia veriore në Tepelenë. Pastaj me një buqetë lulesh të freskëta shkoi te varri i gruas së tij zvicerane. Pas pak humbi çdo gjurmë e Andon Zakos. Ndoshta ndërkohë ka arritur në Kajro dhe punon avokat në një zyrë të një avokati gjerman, i cili mbron interesat e një firme franceze kundër shtëpisë mbretërore të dinastisë shqiptare nga Kavalla e Greqisë së sotme, aty ku i ati i Andon Zakos kishte bërë mjaft para si tregtar duhani.