Nga Alba Malltezi/

Kur këshilltarja në Presidencën e Republikës, Arta Sakja, që vjen nga e djathta tradicionale dhe e moderuar, po më thonte se këto ditë bëhen 365 ditë nga qëndrimi i z. Bajram Begaj në krye të Presidencës, në të vërtetë m’u duk sikur Presidenti Begaj kishte qenë aty përherë. M’u duk se në 1 vit normalitet, takime jashtë vendit dhe në rajon, deklarata teknike, mungesa sulmesh personale dhe partiake, të cilat nuk kanë prodhuar lajme “bombë”, shpërthyese, denigruese, na kanë çuar në një tjetër dimension sa i takon institucionit të Presidencës (veç dekoratave, që edhe pse jo me breshërinë e mëparshme, patën gjithësesi një lloj inercie).

Ndokush mund ta konsiderojë si një dimension mërzie, dikush tjetër si një dimension mungese rëndësie, ndërsa mendoj se është dimensioni i rrjedhës normale të shtratit bazik të Shtetit. Në këtë rrjedhë jo imponuese, duhet të lëvizin indet shtetformuese të të gjitha shtyllave kryesore që mbajnë një vend demokratik në këmbë: presidenca, qeveria, drejtësia, media, parlamenti. Me përjashtim të situatave të jashtëzakonshme.

Ekseset, të veshura me skena tragji-komike për të marrë vëmendje për pushtet personal, janë një anomali me të cilën politika dhe media e tranzicionit në vendin tonë e ka mësuar dhe orientuar deri në dopim publikun dhe opinionin shqiptar. Nuk ke vëmendje nëse nuk je më i forti, më i pasuri, më e bukura, më e veshura, më servili, më i nënshtruari, më “bomba”…

Por nëse një shtet, e gjithë struktura e tij, punon normalisht dhe rrjedhimisht për përmirësimin e jetës së vendit, pikësëpari, duhet të jetë normal personalisht dhe institucionalisht vetë, që të prodhojë të njëjtin efekt në shoqëri.

Nuk janë vetëm uraganet, furtunat, vetëtimat që sjellin para syve të vërteta. Shpesh, ndoshta përherë, hapja e kohës pas një furtune, lumi që rrjedh qetë, deti pas shtërngatave, nxjerrin në sipërfaqe atë që nuk e pamë dot dhe na bëjnë të gjithëve të shohim më mirë. Në qetësi dhe normalitet, shihet, perceptohet më qartë e vërteta. Ku ka zhurmë, ka një përpjekje për të mbuluar diçka që kërkon kthjelltësinë dhe kohën e duhur për t’u kuptuar. Kështu dhe në jetë dhe në politikë. Kush bën zhurmë, kush me pasion gënjen apo shpif që të denigrojë kundërshtarët e tij apo çfarë e rrethon, ecën kundër rrymës vetëm për pak kohë, por, është kundër natyrës dhe kurrë nuk mund të jetë fitues. Shembujt i kemi mes nesh.

Në këtë vit që kaloi kaq shpejt në Presidencësn e Shqipërisë gjërat rrodhën në dimensionin që Kushtetuta shqiptare i ka dhënë Presidentit Begaj dhe presidentëve të tjerë që do të vijnë. A nuk është kjo e jashtëzakonshmja e jetës normale? A janë këta, binarët institucionalë të Shqipërisë?