Në kuadër të planit të masave për përballimin e valës së të nxehtit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vënë në dispozicion të qytetarëve 9 Njësi të Lëvizshme të Asistencës Mjekësore në territor.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale opinione të mjekëve që shërbejnë në këto njësi, por edhe të qytetarëve e turistëve të huaj që marrin ndihmë mjekësore në këto ditë me temperatura të larta.
“Mirënjohja e qytetarëve për stafet mjekësore të 9 Njësive të Lëvizshme të Asistencës Mjekësore në Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Gjirokastër, Shkodër, për shërbimin shembullor në këto ditë të të nxehtit ekstrem”, u shpreh Rama.

“Në sheshin Skënderbej sot kanë ardhur rreth 20 qytetarë, kryesisht për matje parametrash, të cilët i kemi trajtuar këtu dhe nuk kemi dërguar asnjë rast në spital”, u shpreh një mjek.

“Mendoj se shërbimi është shumë i mirëmenduar sepse moti është shumë i nxehtë, mendoj se është shumë e mirëmenduar t’i mbajnë të gjithë të sigurt në këtë mënyrë”, u shpreh një turiste e huaj.

“Mendoj se është një gjë shumë e mirë sepse e bëni dikë të reflektojë që të marrë ujë të qëndrojë në hije”, tha një tjetër turiste e huaj.

“Më vjen shumë mirë që mas tensionin, sot është shumë vapë dhe kjo është një masë shumë e mirë për popullin”, vlerësoi një tjetër turiste e huaj.

Një tjetër qytetar u shpreh se ky është një shërbim i nevojshëm për të ndihmuar në kontrollin e shëndetit. sipas tij, kjo tregon se Urgjenca është në punë dhe është efikase.

“Ne jemi të surprizuar me këtë program shëndeti në këtë kohë të nxehtë të vitit”, u shpreh një tjetër turiste e huaj.

Sipas njërës prej mjekeve që shërben në këto njësi problematikat vijnë kryesisht nga moskonsumimi në sasinë e duhur të lëngjeve.