Ishtë përballja më e vështirë deri më tani në boksion profesionist, por kampioni shqiptar i peshave të rënda, Nelson Hysa, ia ka dalë të mposhtë me nokaut kampionin e Argjentinës Marcos Antonio Aumada. Në përballjen e zhvilluar në Tetovë, ku pati edhe një mbështetje të madhe për boksierët kuqezinj, Nelson Hysa ia doli të mbyllte ndeshjen që në raundin e tretë pavarësisht se kundërshtari renditej 77 vende më lart në ranglistën botërore.
Për Nelson Hysën kjo ishte fitorja e 10 në 10 ndeshje në boksin profesionist, ndërsa para sfidës për Report TV ai shprehej:
“Kjo fitore për mua do më kalonte në një nivel tjetër. Do shkojë në rangun e 50 boksierëve më të mirë të botës.”
Boxrec ende nuk e ka bërë përditësimin, por Nelson Hysa para sfidës në Tetovë renditej i 162 në botë, ndërsa tani pritet të ngjitet shumë lart.
Gjithashtu po mbrëmjen e së shtunës në ring, në ‘Natën e Kampionëve’, u ngjitën edhe disa boksierë të tjerë shqiptar me Alban Barmetën, i cili ka fituar që në raundin e parë me nokaut, nderkohë që sfida më e bukur e mbrëmjes ka qenë ajo e Denis Nurjes me një boksier argjentinas të cilën e mposhti përmes një lufte shumë të fortë sportive. Boksierët tanë kanë qenë të shoqëruar në këtë aktivitet nga trajneri i ekipit kombëtar Zef Gjoni.