Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi informoi sot mbi situatën e zjarreve në vend, ku gjatë ditës së sotme janë identifikuar 5 vatra aktive zjarri.
Peleshi informoi se për shuarjen e tyre janë angazhuar 144 efektivë të Forcave të Armatosura, 13 mjete, 3 zjarrfikëse dhe helikopteri “Cougar”.
“Po punohet me intensitet për mbajtjen nën kontroll të vatrave të zjarrit në fshatrat Peshtan Plyk, Kraps, Kreshpan, njësia administrative Frakull. Ndërsa u kërkua ndërhyrja e helikopterit në pyllin me pisha në fshatin Gjorgoz, pasi ndërhyrja me mjete dhe forca nga terreni është e pamundur. Po punohet ndërkaq edhe në një vatër zjarri në fshatin Hekal, bashkia Mallakastër”, tha ai.
Ministri bëri të ditur se po vijon gjithashtu operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në bashkinë Vlorë.
“Në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj po vijon puna nga terreni për izolimin e vatrës së zjarrit. Është bërë e munduar shuarja e vatrës së zjarrit në fshatin Skrevan, bashkia Dimal, ku aktualisht ka vetëm prezencë tymi. Situata është nën kontroll dhe zjarri po shkon drejt izolimit të plotë në malin e Gjallicës, njësia administrative Shtiqën, bashkia Kukës”, informoi Peleshi.