Izraeli ka tërhequr forcat e tij nga qyteti palestinez i Jeninit pasi kreu një nga ndërhyrjet më të mëdha ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar prej vitesh.
“Operacioni kë përfunduar zyrtarisht dhe ushtarët janë larguar nga zona e Jeninit”, kështu është shprehur një zëdhënës ushtarak për BBC.
Dëshmitarët në Jenin raportuan se kishin parë autokolona me automjete ushtarake izraelite që largoheshin nga qyteti pas errësirës.
Ndërsa trupat u larguan, militantët palestinezë në Rripin e Gazës hodhën pesë raketa drejt Izraelit në orët e para të së mërkurës.
Izraeli tha se avionët e tij goditën një objekt nëntokësor të prodhimit të armëve në Gaza, kjo si kundërpërgjigje.
Dymbëdhjetë palestinezë, të paktën pesë prej tyre luftëtarë, u vranë në operacionin Jenin, për të cilin ushtria izraelite tha se kishte për qëllim shkatërrimin e infrastrukturës militante dhe armëve në kampin e refugjatëve Jenin.
Çfarë është kampi Jenin?
Kampi Jenin është një kamp refugjatësh në qytetin e Jeninit, i cili ndodhet në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.
Kampi Jenin ka ekzistuar që nga fillimi i viteve 1950 dhe u krijua për palestinezët e zhvendosur gjatë luftës së viteve 1948-49, e cila rrethoi krijimin e Izraelit.
Aktualisht është shtëpia e rreth 24 mijë njerëzve, të cilët jetojnë në një sipërfaqe prej vetëm 42 km katrorë.