Kryeministri Edi Rama ftoi sot qytetarët të forcojnë zinxhirin e solidaritetit për dhurimin vullnetar të gjakut, për të përmbushur nevojën jetësore për të sëmurët me talasemi dhe të gjithë ata që kanë nevojë.

Përmes një videoje informuese, Rama tha se me platformën online të dhurimit vullnetar të gjakut ABO, qytetarët mund të aplikojnë në e-Albania për të rezervuar ditën dhe orën e dhurimit.

“Nëse jeni një grup punonjësish, duke aplikuar, vjen tek ju ekipi i Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut”, u shpreh ai.

Dhurimi i gjakut është gjesti më human dhe solidar për këdo që ka nevojë jetike për të.

Portali qeveritar e-Albania ju vjen në ndihmë qytetarëve të planifikojnë online kohën për dhurim individual ose si subjekt.

Në vetëm pak sekonda qytetarët mund të rezervojnë orarin për të kryer procedurën e dhurimit të gjakut pranë Bankës së Gjakut të përzgjedhur.