Nga Adriatik Doçi/

Shkarkimi i Bledi Çuçit dhe emërimi i Taulant Ballës ministër i Brendshëm është reflektuar me shenja paniku dhe tronditjeje nga Familja Berisha dhe rrethi i saj, demostrime këto që tregojnë për një zgjedhje politike dhe të goditur nga Edi Rama.

Shqetësimin serioz, linja nongrata po tenton t’a maskojë me riciklimin e disa akuzave ndaj Taulant Ballës për miqësi me një ish trafikant droge si dhe për rolin e tij të pretenduar në rrethimin nga Rrajat të ish oficerit të policisë Emiliano Nuho.

Nuk marr përsipër të certifikoj pastërtinë e figurës së Taulant Ballës. E rëndësishme në raport me interesin publik është se nuk ka evidenca që Balla dhe familjarët e tij të kenë përfituar para dhe pasuri publike, vende të lakmueshme pune, leje ndërtimi, leje për gurore, HEC-e, hotele, fabrika, licenca etj.

Po pse Familja Berisha është e tronditur?

Me të mirat dhe të këqijat, Taulant Balla është i vetmi socialist, gjatë 15 viteve të fundit, që ka bërë betejë reale ndaj Familjes Berisha, e cila ka sot monopolin e opozitës në vend.

Si gjatë kohës kur PS-ja ishte në opozitë, ashtu edhe gjatë 10 viteve të fundit në pushtet, Taulant Balla është i vetmi, sigurisht me mbështetjen e Edi Ramës, që ka denoncuar publikisht, në Prokurorinë e Tiranës dhe SPAK, aferat e Familjes Berisha, që nga grabitja e ish Klubit Partizani, afera CEZ, aferat me Damir Fazlliçin, pastrimin e parave nga Jamarbër Malltezi, tarifat e korrupsionit të Shkëlzen dhe Argita Berishës etj.

Është ndryshe të mbash një fjalim në Kuvend, të replikosh në rrjete sociale apo të thuash disa fakte në TV, dhe ndryshe të firmosësh kallëzime penale, të marrësh kërcënime me jetë në Kuvend (t’a bëj fytyrën si këpuca), të të godasë fizikisht dhëndri i Familjes nëpër aeroporte etj.

Asnjë deputet tjetër socialist, ministër apo drejtor, nuk e ka ndërmarrë një riskt të tillë, por kanë menduar për të mos trazuar fijet e interesave, për vijuar karrierën pa andralla, pasoja apo ekspozimi i ndonjë lidhje të mundshme interesash kompromentuese.

Familja Berisha dhe rrethi i saj nuk kanë frikë se mbase Balla do përdorë pushtetin kundër tyre.

Ata kanë frikë se Taulant Balla do të lejojë Policinë e Shtetit dhe strukturat e saj, sidomos krimin ekonomik, të zbatojë ligjin, për të identifikuar burimet e errëta të financimit të Familjes Berisha, Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe biznesmenëve trafikantë dhe të korruptuar rreth tyre. Të lejojë zbatimin e ligjit nga policia për të zbuluar se ku i kanë fshehur pasuritë Shkëlzen Berisha, Jamarbër Malltezi dhe Ilir Meta, kush janë të besuarit e tyre mbulesë, në cilat koncesione dhe biznese janë aksionerë të maskuar etj.