Një ndërhyrje delikate, jetëshpëtuese, u krye me sukses nga ekipi multidisiplinar i kirurgëve, urologëve dhe reanimatorëve në Spitalin Kirurgjikal në QSUT.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një tjetër histori të bukur të luftës për jetën.
Pas një seri ekzaminimesh dhe konsultës së përbashkët të disa mjekëve specialistë, u realizua me sukses heqja e tre tumoreve në veshkë, mbiveshkoren e majtë dhe tëmth, duke ruajtur veshkën e vetme që pacientja kishte.
Ecuria post-operatore ishte shumë e mirë dhe 67-vjeçarja tashmë është larguar në shtëpi në gjendje të mirë shëndetësore.
Rama përgëzoi ekipin e mjekëve që kryen me sukses këtë ndërhyrje Dr. Arvit Llazani, Dr. Aurel Janko, Dr. Zamira Hysenaj, Dr. Orient Hasanaj dhe infermieret, Eliora Goxhabelliu dhe Mirjana Mema.
Mjeku urolog Aurel Janko u shpreh se pacientja ankohej vetëm për tension të lartë dhe nga ekzaminimet u zbulua që kishte 3 tumore. “Rasti përbënte sfidë pasi ndodhej te një paciente me një veshkë të vetme. Ndërhyrja shkoi mirë dhe u hoqën të tre tumoret dhe duke ruajtur veshkën”, tha ai.
Mjeku kirurg Arvit Llazani u shpreh se ky është një rast shumë i rrallë edhe në botë.
Sipas mjekes anesteziste Zamira Hysenaj rasti ishte i vështirë edhe për mjekët kirurgë edhe për mjekët reanimatorë. “Një ndërhyrje të tillë nuk e kishim realizuar më parë. Pjesë e vështirë ishte edhe ajo postoperatore pasi stresi kirurgjikal ishte shumë i madh dhe pjesa rikuperuese ishte jashtëzakonisht shumë delikate”, tha ajo.