Rusia ka krijuar një rrjet të errët patronazhi në Ballkan që e përdor për të ndikuar vendimet në tregje dhe institucione të rëndësishme, paralajmëron një raport i ri i Iniciativës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).
Lufta në Ukrainë ka krijuar një sërë rrethanash që kërcënojnë të rrisin flukset e paligjshme financiare (IFF), të cilat nxisin kërkimin e qirasë, shterojnë burimet publike, minojnë besimin në shtet dhe dëmtojnë mjediset e biznesit, në rajon.
Daljet e parave të paligjshme përbëjnë 3 – 5 % të produktit të brendshëm bruto global (GDP), 8.3 për qind të PBB-së së Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH), 7.8 për qind të Kosovës, 5.7 për qind të Maqedonisë së Veriut, 4.1 % të Malit të Zi, 3.5 % të Bullgarisë, 2.6 % të Kroacisë dhe 2.1 % të Shqipërisë.
Midis viteve 2000-2020, plot 18.7 miliardë dollarë para të paligjshme u larguan nga Serbia, 18 miliardë dollarë u larguan nga Bullgaria dhe Kroacia dhe 13 miliardë dollarë u larguan nga BiH. Ndërsa nga Shqipëria, raporti tregon se janë 2 miliardë dollarë.
Flukset hyrëse të paligjshme përbëjnë 4.8 përqind të PBB-së së Bullgarisë dhe 4.7 përqind të Kroacisë, dhe IFF-të vlerësohet të përbëjnë gjashtë përqind të PBB-së totale të rajonit.
“Pozita gjeografike strategjike e Ballkanit, duke vepruar si një portë midis Azisë dhe Evropës Perëndimore, së bashku me një ekosistem të kapjes së shtetit, dobësitë institucionale, krimin e organizuar dhe një ekonomi të shfrenuar në hije, e bëjnë rajonin veçanërisht të ndjeshëm ndaj IFF-ve“, thotë Vanya Petrova, autor i raportit.
Të tetë vendet e analizuara në raport, Shqipëria, BiH, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, kanë sektorë informalë të ekonomive të tyre që e kaluan 25 për qindëshin e PBB-së në vitin 2022. Shqipëria, BiH, Maqedonia e Veriut dhe Serbia e tejkaluan 31%.
Edhe pse qeveritë dhe organizatat e shoqërisë civile në rajon punojnë për të luftuar paratë e paligjshme, zhvillimet e fundit gjeopolitike e kanë bërë situatën më të ndërlikuar.
Pushtimi i Ukrainës nga Rusia, dhe pas kësaj nxitimi i elitave ruse që janë në listën e zezë për të gjetur mënyra të reja për të anashkaluar sanksionet perëndimore, kanë përshpejtuar flukset e kapitalit në Ballkan.
Ndërkohë që Bashkimi Evropian (BE) u kërkon këtyre vendeve të vendosin sanksione të reja, ai ka identifikuar Ballkanin ashti si dhe Gjeorgjinë, Armeninë, Turqinë, Kazakistanin dhe Kirgistanin, si vende të mundshme të krijimit të rrugëve për pastrimin e parave të paligjshme.
“Kombinimi i kapjes së shtetit dhe medias, përçarjet etnike që ziejnë midis dhe brenda vendeve, ritmi i ngadaltë i pranimit në BE dhe trashëgimia e paragjykimeve njohëse ruse e bëjnë rajonin një portë për evazionin”, paralajmëron raporti.
Për shkak se shumë vende evropiane kanë vendosur ndalime të lëvizjes për rusët, Serbia është një nga rrugët e pakta të mbetura për rusët që të arrijnë në Evropë. Pothuajse 220.000 qytetarë rusë kanë hyrë në Serbi dhe 5.000 kompani janë regjistruar atje nga shtetas rusë që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Raporti vëren se krijimi i kaq shumë firmave në Serbi ofron terren pjellor për pastrim parash.
Ndërsa Serbia dhe BiH janë kandidatë për anëtarësim në BE, asnjëra nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë pavarësisht nga nxitja e Brukselit.
Kërcënimi që vjen nga ‘shtetësia përmes një investimi’
BE-ja është përpjekur gjithashtu, pa dobi, të bëjë presion ndaj dy kandidatëve të tjerë të Ballkanit për anëtarësim në BE, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, që të heqin dorë nga programet e tyre ‘shtetësia për investime’ për shkak të rreziqeve të pastrimit të parave, mashtrimit, korrupsionit dhe evazionit të sanksioneve. .
Pavarësisht nga nxitjet e Komisionit Evropian, Podgorica ka vazhduar të japë një numër rekord të shtetësive. Në periudhën e shqyrtuar nga raporti vjeshtën e kaluar, përqindja më e madhe e shtetësive të reja malazeze u takuan shtetasve rusë me 38 për qind, e ndjekur nga 23 për qind nga shtetasit kinezë.
Përdorimi i pasurive të paluajtshme si një mjet për të mbajtur vlerën është një mënyrë e zakonshme për të anashkaluar sanksionet dhe vija bregdetare e Malit të Zi mbetet një vend i preferuar për shumë oligarkë rusë dhe jahtet e tyre.
Shqipëria kishte programin e saj ‘shtetësia për investim’, por e mbylli atë në mars 2023-shit pas presionit të BE-së. Shtetasit e huaj mund të depozitojnë deri në dy milionë euro para të padeklaruara në bankat e Shqipërisë dhe të gëzojnë imunitet ligjor dhe një taksë të ulët pesë deri në dhjetë për qind.
Nevoja për “shkëputje strategjike”
Për të luftuar veprimet e paligjshme të Rusisë në Ballkan, raporti kërkon një “shkëputje strategjike” të ekonomisë së Evropës në nivel makro nga Rusia dhe “investime strategjike” nga BE-ja dhe SHBA-ja në ekonomitë e Ballkanit për t’i bërë ato më pak të cenueshme dhe të varura nga paratë ruse.