Në epokën e digjitalizimit regjistrimi i nxënësve në klasë të parë dhe në klasë të 10-të po kryhet për të tretin vit radhazi online përmes e-albania.
Ky proces do të zgjasë deri më 20 korrik. Dy vite më parë kjo metodë u aplikua si projekt pilot vetëm në 182 shkolla të zonave urbane dhe më pas u shtri në të gjithë shkollat e vendit, duke hedhur pas metodën e vjetër të regjistrimit fizikisht pranë institucioneve arsimore.
Procesi i regjistrimit është mjaftë i lehtë, mjafton të kesh akses në një smartphone ose në një kompjuter me internet. Hyn në portalin e-albania dhe tek shërbimet kërkon Regjistrimi në klasë të parë ose Regjistrimi në klasë të 10-të dhe të dalin hapat që duhen ndjekur dhe dokumentacioni i nevojshëm që në këtë rast sigurohet elektronikisht dhe shkurton kohën e mbledhjes dhe dorëzimit të dokumenteve pranë objekteve arsimore.
Kriteri bazë mbetet regjistrimi sipas zonës së vendbanimit për të bërë një shpërndarje të numrit të nxënësve në mënyrë të barabartë si në fshatra dhe në qytete. Kjo pasi prindërit janë ata që synojnë që fëmijët të arsimohen në shkollat më të mira pranë qendrave. Pas aplikimit, shkolla njofton elektronikisht në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 5 ditësh.
Në rast mospranimi, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës. Nëse fëmija është pranuar, duhet bërë dorëzimi fizikisht në sekretarinë e shkollës, i kartelës së vaksinimit jo më vonë se 10 ditë para fillimit të vitit shkollor. Vetëm në këtë moment regjistrimi quhet i përfunduar.
Risia e këtij viti është regjistrimi i fëmijëve që në moshën 5 vjeçare, me kushtin që deri në 31 dhjetor të 2023-shit të kenë mbushur 6 vjeç. Ky ndryshim është miratuar edhe në ligjin e arsimit parauniversitar, megjithatë nuk është e detyrueshme, vendimmarrja u takon prindërve.