Ndëshkohet me 200 000 lekë gjobë drejtuesi i një mjeti lundrues. Shkak u bë fakti, se drejtuesi i mjetit, po lundronte në breg të detit, në afërsi të pushuesve në zonën e Ksamilit. Në njoftimin e saj, Policia e Vlorës bëri me dije se mjeti është bllokuar.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, falë shkëmbimit të informacionit me patrullat tokësore të Policisë që patrullojnë me biçikleta në vijën bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Ksamilit, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues që kishte dalë në breg të detit duke shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët dhe duke vënë në rrezik jetën e tyre”, njofton Policia e Vlorës.

“Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin S. Sh., me masën administrative 200 000 lekë të rinj. Mjeti lundrues i bllokuar është shfaqur edhe në video të postuara në rrjetet sociale. Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete“, njoftoi Policia e Vlorës.

Policia po ashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligjit.