Një studim i zhvilluar në Britani të Madhe tregon se të dhënat e marra nga orët inteligjente të përdorura nga pjesëmarrësit mund të ndihmojnë në diagnostikimin e sëmundjes së Parkinsonit deri në 7 vjet më pare.
Sipas “Sky News”, studiuesit nga Instituti i Kërkimeve të Dementisë në Britani në Universitetin e Cardiff-it kanë përcaktuar se orët inteligjente mund të luajnë rol të rëndësishëm në diagnostikimin e hershëm të Parkinsonit.
Në hulumtimin, i cili përdori bazën e të dhënave biomjekësore të quajtur “Biobank”, e cila përmban të dhënat shëndetësore të rreth gjysmë milioni personave në Britani, të dhënat u analizuan me inteligjencë artificiale.
Në studim është ndjekur shpejtësia e lëvizjes së 103.712 personave që kanë mbajtur orë inteligjente për një javë gjatë periudhës 2013-2016. Të dhënat e marra nga orët inteligjente të pjesëmarrësve që u diagnostikuan me sëmundjen e Parkinsonit në 7 vitet pas kësaj periudhe u krahasuan me ato të diagnostikuara më parë me të njëjtën sëmundje.
U konstatua se lëvizjet e pjesëmarrësve me sëmundjen e Parkinsonit dhe atyre të diagnostikuar me këtë sëmundje brenda 7 viteve ishin më të ngadalta se individët e shëndetshëm.
Në vitet në vijim, të dhënat e të diagnostikuarve me sëmundjen e Parkinsonit ishin të ndryshme nga ato të personave të shëndetshëm, duke zbuluar se simptomat e sëmundjes mund të diagnostikoheshin deri në 7 vjet më parë.
Pajisja e gjurmimit të lëvizjes dhe orët inteligjente mund të përdoren për vëzhgim mjekësor
Studiuesja kryesore në Universitetin e Cardiff-it, Dr. Cynthia Sandor tha se falë të dhënave njëjavore të marra nga pjesëmarrësit, mund të bëhen parashikime afatgjata për gjendjen shëndetësore të njerëzve.
Ajo theksoi se mund të zhvillojnë metodë të besueshme dhe të përballueshme për diagnostikimin e hershëm të Parkinsonit falë gjetjeve. Sandor tha se pajisjet e gjurmimit të lëvizjes dhe orët inteligjente mund të përdoren për vëzhgim mjekësor.
Parkinson, një nga sëmundjet neurodegjenerative më të zakonshme në mbarë botën pas Alzheimerit, prek jetën e afro 10 milionë njerëzve.
Hulumtimi është publikuar në revistën “Nature Medicine”.