U mbajt më datë 30 qershor 2023, në Oslo, Norvegji, takimi i 4-rt i Bordit Operacional të Kuadrit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), i cili përbën një nga instrumentet kryesorë nëpërmjet të cilit BE mbështet zhvillimin dhe integrimin e rajonit.

Në fokus të zhvillimeve të takimit ishte vendimmarrja për projekt-propozimet e aplikuara nën thirrjen e 8-të për Investime dhe thirrjen e 29-të për Asistencë Teknike.

Për Shqipërinë u miratua mbështetja me grant investimi për projektin “Transporti i Gjelbërt në qytetin e Tiranës”. Ky projekt synon të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të kërkesës në rritje të kryeqytetit për lëvizshmëri, përmes një transporti publik të qëndrueshëm, të gjelbër, të sigurt, të rehatshëm dhe të aksesueshëm, duke rritur kështu cilësinë e shërbimit dhe reduktuar nivelin e ndotjes nga emetimet e CO2. Granti, i cili do të jepet nga BE për këtë projekt, është në vlerën e 31.7 milionë Euro, e cila përbën rreth 30% të kostos totale të projektit prej 110.3 milionë Euro. Pjesa tjetër financohet nga hua prej KfW dhe buxheti i shtetit.

Krahas projekteve të investimit, u miratuan edhe 3 (tre) projekt-propozime për marrjen e asistencës teknike:

– Ndërtimi i një linje të re interkonjeksioni 400kV Shqipëri (Fier) – Greqi (Araktos) – Studim Fizibiliteti dhe VNMS, me një grant prej 1.1 milionë Euro dhe nën udhëheqjen e KfW, në rolin e institucionit financiar ndërkombëtar;

– Ndërtimi i centraleve eolike në det – Projektimi konceptual, Studim Fizibiliteti dhe VNMS, me grant prej 2 milionë Euro dhe nën udhëheqjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në rolin e institucionit financiar ndërkombëtar;

– Strategjia e Integruar Kombëtare e Sanitetit të Ujit të Pijshëm dhe Planifikimi i Investimeve, me grant prej 1.2 milionë Euro dhe nën udhëheqjen e Bankës Botërore, në rolin e institucionit financiar ndërkombëtar.