Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka reaguar lidhur me përfshirjen e efektivit të Gardës së Republikës (ku është i angazhuar prej vitit 2006) Martin Nikolli në një konflikt me familjen Kaçi në Hamallaj.
Përmes një statusi në llogarinë e saj në “Facebook” kryeparlamentarja shkruan se ngjarja e ndodhur është e dënueshme dhe se përshëndet Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë.
Nikolla vijon më tej teksa inkurajon organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, sikurse e quan Kryetarja e Kuvendit.
Në mesazhin e saj Nikolla solidarizohet plotësisht me familjen Kaçi dhe e siguron se institucionet e shtetit shqiptar janë të angazhuara në krye të detyrës për t’i ofruar mbrojtjen që parashikon ligji.
Statusi i plotë:
Ngjarja e ndodhur sot në Hamallaj, ku është përfshirë efektivi i Gardës së Republikës (që nga viti 2006) Martin Nikolli është e dënueshme.
Dëshiroj të përshëndes Policinë e Shtetit për ndalimin e menjëhershëm të personit në fjalë dhe të inkurajoj organet e drejtësisë për zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes dhe dënimin e kujtdo që ka gisht në këtë rast flagrant, pavarësisht pozicionit ku ka shërbyer deri më sot.
Në të njëjtën kohë, solidarizohem plotësisht me familjen Kaçi dhe i siguroj se institucionet e Republikës janë të angazhuara dhe në krye të detyrës për t’i ofruar të gjithë mbrojtjen që parashikon ligji.