Institucioni më i lartë i futbollit botëror, FIFA ka publikuar këtë të enjtë më 20 korrik renditjen e re të skuadrave Kombëtare. Bie në sy se Shqipëria e Sylvinhos mban pozitën e 65-të, njëjtë si në publikimin e një muaji më parë. Një pozitë ka humbur Kosova, me Dardanët që e shohin veten në vendin e 109.

Në ndeshjet e qershorit Kombëtarja shqiptare mori dy fitore në grupin E kualifikues të Euro 2024, duke mbajtur vendin e dytë në grup me gjashtë pikë, një më pak se Çekia. Diçka e tillë ka bërë që FIFA të vlerësojë ecurinë e kuqezinjve, teksa tanët grumbullojnë 1357.39 pikë, në renditje.

Në historinë e futbollit shqiptar, kuqezinjtë kanë qenë në pozitën e 22-të në 2015, renditja më e lartë ndonjëherë për futbollin tonë.

Nga ana tjetër, Kosova me ecurinë jo të mirë në katër ndeshjet e fundit kualifikuese për Euro 2024 ka rënë me një pozicion. Vendin e parë të futbollit vijon ta kryesojë Argjentina, me disa shifra dhjetore më shumë se Franca. Pas tyre Brazili, Anglia, Belgjika, Kroacia, Holanda, Italia, Portugalia dhe Spanja.