Në Bruksel u arrit marrëveshja që katër vende të Ballkanit Perëndimor, mes të cilëve edhe Shqipëria, t’i bashkohen Programit të Europës Digjitale, që çel mundësi të arta për qytetarë, institucione publike apo organizata të ndryshme të aplikojnë për të përfituar nga skema financuese prej 7.5 miliardë eurosh.

Zhvillimi i projekteve në fushën e Inteligjencës Artificiale, aftësimi digjital dhe krijimi i kushteve të duhura, për të instaluar laboratorë digjitale në vendet respektive, do ta çojë Shqipërinë më pranë Europës.

Në takimin e sotëm në Bruksel, në vazhdë të dialogut rregullator BE-Ballkan Perëndimor, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, përfaqësuar nga Nevila Repishti, drejtuese e portalit qeveritar e-Albania, ishte pjesë panelit për ndërveprimin e shërbimeve publike digjitale.

‘Platforma Qeveritare e Ndërveprimit deri më tani ka mirëfunksionuar për ofrimin e shpejtë të shërbimeve elektronike në portalin e-Albania, falë ndërveprimit në kohë reale të sistemeve publike. Ndërveprimi i sektorit publik përfaqëson aftësinë e administratës për të bashkëpunuar dhe për të bërë që shërbimet publike të funksionojnë përtej kufijve organizativë. Falë tij, sot qytetarët dhe bizneset në Shqipëri kursejnë kohë dhe para, sepse 1227 shërbime publike janë plotësisht në funksion të tyre. Përmes e-Albania kryhen aplikime, ku 66 për qind e formularëve elektronikë plotësohen automatikisht, gjenerohen dokumente elektronike e kryhen pagesa”, theksoi Repishti, duke përmendur gjithashtu, kalimin së shpejti, në versionin e e-Albania 2.0, me shërbime proaktive dhe asistencë virtuale zanore.

Shqipëria ka objektiv kryesor plotësimin e standardeve dhe kushteve për të siguruar një të ardhme të sigurt në Bashkimin Europian, ndaj, puna që po bëhet me transformimin digjital të institucioneve publike dhe modernizimi në këtë drejtim është fokus kryesor i qeverisë shqiptare.

“Një nismë e rëndësishme e qeverisë është zhvillimi i strategjisë së Inteligjencës Artificiale dhe politikave rregullatore që do të mbështesin zbatimin e përgjegjshëm të saj. Qeveria synon të shtrojë rrugën e duhur për përdorimin etik të Inteligjencës Artificiale në administratën publike, për të siguruar rezultate të sigurta, të besueshme dhe të barabarta për të gjithë qytetarët dhe bizneset, duke reduktuar rreziqet e ndikimeve negative dhe duke siguruar që bizneset dhe qeveria të praktikojnë standardet e duhura etike për zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të Inteligjencës Artificiale”, theksoi Repishti.

AKSHI, tashmë është pjesë integrale e përfaqësimit të Shqipërisë në takime të ndryshme në Bruksel, duke raportuar për ecurinë e vendit në kuadër të digjitalizimit dhe përafrimit me standardet e Bashkimit Europian.