Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, inspektuan punimet në segmentin rrugor që lidh fshatrat Daias dhe Gurrë e Madhe.
Veliaj tha se këto investime sjellin një pafundësi të mirash për banorët e zonës.
“Kjo është një nga rrugët ku ka pasur më shumë nevojë për ndërhyrje. Kur ti thua Farkë, Dajt apo Kashar, mendon rrethin e parë të Tiranës rurale, që sigurisht ka përfituar edhe nga urbanizmi, edhe nga të mirat materiale të Tiranës urbane, e cila ka kaluar përtej vijës së vjetër të verdhë, për të sjellë pasuri dhe për të rritur vlerën e pronës. Tani jemi te brezi i dytë dhe kur themi Petrelë, Ndroq, Pezë, Vaqarr, jemi në brezin e dytë të këtij zhvillimi. Sigurisht, rruga sjell një pafundësi të mirash, rritet vlera e pronës në të dyja krahët, një pjesë është bërë me zona rezidenciale, pjesa tjetër ka një zhvillim të jashtëzakonshëm falë mbështetjes së qeverisë. Në një Tiranë që sa vjen e zhvillohet, sapo u bë Unaza e Madhe nga pjesa e Farkës, deri te ‘helikopterët’, bashkia edhe qeveria krijuan një treg shumice agro-ushqimor dhe automatikisht, jo vetëm zona mori vlerë, por praktikisht kanë filluar kërkesat për të zhvilluar përkrah, ku shkon infrastruktura”, tha Veliaj.
Më tej, ai shtoi se zhvillimi është lajm i mirë, po ashtu si ndërtimi është lajm i mirë.
“Shtëpitë e reja, zonat rezidenciale, qendrat tregtare, janë të gjithë janë lajme të mira sepse xhirohen me lëvizje ekonomie. Sot jemi në një situatë kur në sheshin “Skënderbej” sheh më shumë të huaj se sa vendas. Një arsye është se vendasit janë me pushime, por arsyeja kryesore është se janë shtuar masivisht të huajt. Ne sot kemi delegacione që nuk gjejnë dot vend, kishim koncertin e Ricky Martin, jemi detyruar t’i çonim në 7 hotele të ndryshme sepse nuk ka hotel që të akomodojë këtë fluks. Kjo do të thotë se është vetëm çështje kohe derisa një pjesë e turizmit dhe e hapësirave në shtretër të vijnë edhe në zonat periferike të Tiranës”, nënvizoi ai.
Edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca theksoi se investimet në fshatrat e Tiranës sjellin zhvillimin e zonave.
“Investimi lehtëson kushtet e jetesës për rreth 800 banorë që jetojnë mes këtij segmenti të jashtëzakonshëm me një natyrë të mrekullueshme, i mbushur me aktivitete agroturistike. Kjo rrugë i shërben edhe një zinxhiri ekonomik për zonën që sjell një zhvillim të posaçëm”, tha Krifca.