Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në takim Ministren e Shtetit për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Huml. Veliaj, i cili vetëm pak kohë më parë u takua në Tiranë me Kryeministrin bavarez, Markus Söder, e vlerësoi mbështetjen që Bavaria ka dhënë për Shqipërinë.

“Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që Ministrja e Jashtme e Bavarisë është në Tiranë, vetëm pak kohë pas vizitës së zotit Markus Söder, Kryeministrit të Bavarisë, dhe më vjen mirë që disa nga ato gjërat që diskutuam për të hapur një zyrë të Bavarisë në Tiranë dhe për të filluar një marrëdhënie shumë më serioze mes Shqipërisë dhe Bavarisë, sot janë bërë realitet, qoftë edhe me simbolikën e vendosjes së një tabele të re, që përkujton themelimin e kësaj marrëdhënieje speciale mes Shqipërisë dhe Bavarisë, që nga koha e Franc Josef Shtraus,” u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë tha se ka ardhur koha e një bashkëpunimi të ri sepse vetëm përmes të tilla bashkëpunimeve qytetet rriten, sikurse Tirana, e cila sot ka njohur një rritje në numrin e turistëve, një pjesë e madhe e të cilëve vijnë pikërisht nga Gjermania.

“Jam vërtet i lumtur që hapet zyra e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bavarisë në Tiranë dhe jam vërtet i kënaqur që ai vizion, ajo ëndërr, ndoshta pak utopike, e Franc Josef Shtraus, e viteve ’80, sot është një realitet në mes të Tiranës, një realitet bashkëpunimi ekonomik dhe politik. Falë atyre shkëmbimeve që kemi, sot Tirana po pëson një ‘boom’ turistik dhe jam shumë i lumtur që një pjesë e madhe e turistëve vijnë nga Gjermania, sepse besoj që është shumë e rëndësishme që politikanët të komunikojnë, por është edhe më e rëndësishme që njerëzit të komunikojnë, sepse janë raporte që zgjasin edhe përtej mandateve tona,” deklaroi kryebashkiaku Veliaj.

Ministrja e Shtetit për Europën dhe Çështjet Ndërkombëtare të Bavarisë, Melanie Huml, nga ana e saj u shpreh e lumtur që në Tiranë ka tashmë një pikë kontakti të biznesit bavarez.

“Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Gjermanisë datojnë shumë herët, në mes të viteve ’80, kur Franz Joseph Strauss, kryeministri asokohe i Bavarisë, erdhi privatisht në Shqipëri për të bërë një vizitë. Pikërisht për këtë arsye, këtë partneritet ne kërkojmë ta intensifikojmë edhe më tepër. E po për këtë arsye erdhi edhe kryeministri i Bavarisë, Markus Söder, i cili bisedoi edhe me kryeministrin Rama për projekte konkrete, si hapja e zyrës së biznesit bavarez këtu në Tiranë. Elementi tjetër mjaft i rëndësishëm është ai i krijimit të një komisioni ndërqeveritar për realizimin konkret të këtyre projekteve. Elementi i tretë, mjaft i rëndësishëm, është ai i komunikimit dhe i marrëdhënieve ndërnjerëzore për të cilin ndodhemi edhe këtu, në sheshin ‘Shtraus’,” u shpreh Huml.