Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Roland Bejko ishte i ftuar këtë të mërkurë në Euronews Albania, ku foli në lidhje me zhvillimet brenda Partisë Demokratike.

Bejko u ndal dhe te përplasjet mes Sekretarit Gazment Bardhi dhe ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha, ku tha se të dy deklarojnë se ndihen të tradhtuar nga njëri tjetrit.

Ai shtoi se nuk është në dijeni të krisjes që mund të ketë ndodhur mes dy bashkëpunëtorëve të ngushtë dikur.

“Unë mendoj se të dy, nuk i di arsyet por Basha kam përshtypje ndihet i tradhëtuar nga Bardhi, Bardhi thotë jam i tradhëtuar nga Basha, nuk e di këtë histori, ka një lloj erotizmi brenda në këtë ngjarje por nuk e di ku fillon e ku mbaron”, tha Bejko.

Duke u ndalur te zgjedhjet për kreun e ri të PD-së, Bejko tha se në zgjedhjet e 29 korrikut pritet të votojnë 25 mijë anëtarë. Shifrën e ulët Bejko e justifikoi me pastrimin e listave të fryra.

“Partia Demokratike dhe çdo parti tjetër shqiptare ka ardhur koha të jetë realiste, të jetë me këmbë në tokë dhe të heqi dorë nga listat e fryra të antarëve të saj sepse i bie që për numër popullsie të kemi më shumë antarë se çdo parti tjetër në botë.

Dihet që listat kanë qënë të fryra, dihet që edhe votimet që ka bërë ‘foltorja’ një vit më parë kanë qënë votime fiktve sepse vetë kanë bërë listat, vetë kanë njoftuar pjesmarrjen, vetë kanë votuar, vetë kanë numëruar në fund dhe vetë kanë vulosur, vulë s’kanë ata, por vetë kanë firmosur”, tha Bejko.