Pas rinovimit të Milik dhe Rabiot, te Juventusi është koha e zyrtarizimeve për afrimet e reja, me Timothy Weah që i bashkohet “Zonjës”. Pasi Interi zyrtarizoi afrimin e Thuram, Zonja e Vjetër i përgjigjet me firmën e djalit të ish-lojtarit të Milanit, me marrëveshjen e arritur ditët e fundit që zyrtarizohet nga bardhezinjtë. Amerikani, i cili vjen nga Lille, ka firmosur një kontratë pesë vjeçare me vlerë 2 milionë euro në sezon.

Përmes një njoftimi për shtyp, bardhezinjtë kanë bërë të ditur edhe detajet e marrëveshjes me Lille. Amerikani zbarkoi në Torino mbi bazën e një dakordësie me Lille prej 10.3 milionë eurosh të pagueshme në dy vjet. Bonuse deri në një maksimum prej 2.1 milionë eurosh parashikohen me përmbushjen e objektivave ose kushteve të caktuara sportive.

23-vjeçari zgjodhi fanellën me numrin 22, të sapo liruar nga Di Maria dhe të veshur më parë nga një djalë tjetër i shtëpisë siç është Federico Chiesa. I biri i legjendës së Milanit, George Weah, sulmuesi do kërkojë t’i afrohet të atit që në 1995 fitoi Topin e Artë duke kaluar nga PSG te Milani.