Nga Ylli Pata/
Takimet që Basha zhvilloi me Agron Dukën e Dashamir Shehin, para ca ditësh, si dhe lëvizjet nga grupi i Sali Berishës, duket se kanë synimin për rigrupimin e deputetëve të opozitës në Parlament
Takimet që Basha zhvilloi me Agron Dukën e Dashamir Shehin, para ca ditësh, si dhe lëvizjet nga grupi i Sali Berishës, duket se kanë synimin për rigrupimin e deputetëve të opozitës në Parlament.
Tashmë ka mbaruar koha, madje shkoi gjatë, që opozita të bëjë lojën e pasqyrave, me artificet e bashkimit dhe përgjërimin për demokratët në bazë.
Zgjedhjet në Kukës, Korreshi ironi me Bashën: Nuk e provuat atë vulën e re nëse regjistrohet dot në zgjedhje
Në opozitën aktuale politike e parlamentare janë dy grupe, të cilat janë ngjizur që në shtatorin e 2021, kur Lulzim Basha përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së.
Grupi që mes SHBA, Britanisë së Madhe e Perëndimit dhe Berishës, ka zgjedhur Perëndimin. Ky grup në fillim ka qenë mjaft i madh në numër, por me kalimin e kohës, tentativat për të përdorur doktorin si mundësi për të bërë karrierë, kanë bërë që të gjithë këta persona të bien në grackën e Berishës, i cili si mjeshtër i vjetër, përpara se të shërbejë apo favorizojë të tjerët, nxjerr përfitimin maksimal për vete.
Në krahun tjetër është Berisha dhe mbështetësit e tij besnikë, si dhe katër deputetët e PL-së së Ilir Metës.
Në mes janë deputetët që janë distancuar nga PD-ja e Lulzim Bashës, ku i pari është kryetari i grupit parlamentar Gazmend Bardhi dhe ish-nënkryetarja
Jorida Tabaku, si dhe deputetët e anëtarët e kryesisë së PS-së që nuk pranuan rikthimin e Bashës. Këta deputetë, duket se kanë pak gjasa që të vijojnë një karrierë “të lehtë” në PD, qoftë për faktin se ata kanë probleme me strukturat e partisë në qarqet ku shërbejnë si deputetë.
Ndërkaq, në anën tjetër janë edhe kryetarët e partive aleate: Dashamir Shehi, Agron Duka, Fatmir Mediu e Vangjel Dule, të cilët së bashku tre deputetë deputetë të tjerë formuan një grup parlamentar në vete. Siç ka bërë edhe Shpëtim Idrizi e Mesila Doda me 5 deputetë të Partisë Demokratike.
Ndërkaq, 4 deputetët e Partisë së Lirisë dhe 12 deputetë pro Berishës nuk janë regjistruar në grup parlamentar.
Nesër Sali Berisha ka thirrur deputetët pro tij, e pjesëmarrja në këtë takim do të qartësojë pa ekuivoke kush është me të përfundimisht në Kuvend. Berishës, mos regjistrimi i ka kushtuar shumë për marrjen e fjalës, financimin që grupet marrin apo facilitetet e tjera proceduriale në amendamente, diskutime apo kohën e fjalimeve.
Sikur me ata që ka sot pranë tij, 12 plus 4 të PL-së, formohet një grup parlamentar prej 16 deputetësh, që në një farë mënyre ka qenë i barabartë me numrin e atyre deputetëve që janë rreshtuar hapur në krahun anti-Berisha në opozitë.
Vetë Berisha, mund të krijojë një grup parlamentar edhe me 12 deputetët aktualë, pa pasur nevojën e bashkimit me 4 të PL-së. Por duket se aleanca mes Berishës dhe Metës në dy zgjedhje brenda katër viteve ka krijuar qartësisht polin e tyre opozitar. Ata luajnë me karta të hapura, e sipas gjasave edhe logjikës, ata do të bashkohen në një grup të vetën.
Madje ideja e tyre do të jetë të rrisin sa më shumë numrin e deputetëve, në mënyrë që të bëhen grupi më i madh i opozitës në Parlament. Për të mbajtur kështu primatin e komisionerëve në zgjedhjet e ardhshme. Lëvizjet e deputetëve në njërin apo tjetrin grup, do të përcaktojnë qartesisht kahjen e karrierës së tyre politikë në zgjedhjet e ardhshme. Do të jenë me PD-në, që tashmë është nën drejtimin e Lulzim Bashës sërish, apo do të kalojnë në “Bashkimin për Fitore”.
Por kalimi tek BF-ja nuk duket se është kaq vaj, ngase edhe sikur të ketë numra të shtuar, ai grup do të jetë i përjashtuar nga çdo kontakt ndërkombëtar me SHBA, BE-në dhe strukturat e Perëndimit. Ai do të mbetet sërish, madje edhe do të shtohet izolimi ndërkombëtar. Por rikthimi në grupin e Bashës, jo thjesht për deputetët që janë përplasur, por edhe të tjerë që kanë qenë as mish as peshk nuk se i favorizon shumë. Pasi me fuqizimin e madh që kanë marrë degët e Partisë Demokratike, në rezistencën që i bën agresionit të foltores, ata do të kenë më shumë influencë në përcaktimin e kandidatëve për deputetë. E me marrëdhëniet e ndera me degët, shpresa e tyre për rikandidim do të jetë më e vogël.
Në këtë logjikë, Kuvendi Kombëtar i së shtunës në PD, do të japë një qartësi me shumë në këtë drejtim. Ata që do të marrin pjesë në Kuvend prej grupit parlamentar mund të cilësohen edhe pjesë e grupit të ri. Ata që mungojnë ose demonstrativisht, ose për ndonjë “arsye”: jo jam jashtë, jo jam sëmurë etj, duket se e kanë zgjedhur rrugën.
Por, gjithsesi nuk është e thënë që të gjithë ata deputetë që janë ftohur ose janë jashtë PD-së së Bashës të afrohen me Berishën e Metën. Kjo jo thjesht se nuk ka ndonjë siguri të plotë për vijimin e karrierës, por edhe për faktin e izolimit ndërkombëtar të tyre. Madje disa prej këtyre deputetëve si Gazmend Bardhi, Jorida Tabaku, etj vijojnë e madje këto ditë kanë pasur mjaft kontakte diplomatike të rëndësishme.
E para në territorin praktik, mund të krijohet krejt lehtë një grup i tretë parlamentar i opozitës në Kuvend, ku mund të marrin pjesë edhe krerët e deputetët e partive aleate. Sipas gjasave, ky do të jetë edhe grupi me numrin më të madh të deputetëve, duke pasur kështu edhe mundësinë për tu ngjizur avash avash si një subjekt politik i ri i opozitës.
E nëse nuk atashohet me foltoren, ka shumë mundësi që të kryehë manovrat politike, pa pasur sikletin jo vetëm të identifikimit, por edhe veprimit nën hyqmin e establishmentit të doktorit dhe PL-së së Ilir Metës. Megjithatë, nesër në 10, kjo panoramë do të jetë më e qartë, kur do të shikohet se kush deputet i është bashkuar mbledhjes së thirrur nga Sali Berisha.