Është prezantuar këtë të enjte raporti “Edukimi kundër dhunës dhe parandalimi i saj në shkollë”, ku morën pjesë me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, përfaqësues të drejtorive rajonale arsimore, zyrave vendore arsimore, punonjës psiko-socialë dhe oficerë sigurie.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha se detyra jonë është edukimi i të rinjve kundër dhunës, dhe kjo është fryma e strategjisë kombëtare të arsimit 2021 – 2026.

“Jemi të vetëdijshëm që jo vetëm sistemi ynë arsimor, por e gjithë shoqëria, i gjithë opinioni publik janë gjithmonë e më shumë të ndjeshëm ndaj problemeve të dhunës dhe rasteve të dhunës. Kështu që ne jemi bashkë me familjet që kemi përgjegjësinë kryesore për të edukuar, nxënësit, për t’i edukuar që në moshë të hershme dhe të gjithë brezat dhe të gjithë shoqërinë me luftën kundër dhunës në bazë gjinore, luftën kundër dhunës ndaj fëmijëve. Për të edukuar sa më shumë për barazinë gjinore ato aspekte që ne i kemi përfshirë në kurrikul”, – nënvizoi znj. Kushi.

Ministrja u ndal te politikat që janë ndërmarrë për t’i përshtatur kurrikulat që nxënësit të njohin të drejtat e njeriut, të njohin konceptet e barazisë gjinore, luftën kundër trafikimit, kundër bullizimit, kundër ekstremizmit.

“Unë dua të përmend shumë shkurt disa nga masat dhe politikat që ne kemi ndërmarrë vitet e fundit në këtë drejtim që lidhen me kurrikulën në radhë të parë që e kemi pasuruar, e kemi përshtatur në të gjitha ciklet e sistemit paraunivesitar, në lëndë të ndryshme, sigurisht të integruar, po edhe në shumë projekte dhe aktivitete jashtë kurrikulare, pikërisht që nxënësit të njohin të drejtat e njeriut, të njohin konceptet e barazisë gjinore, luftën kundër trafikimit, kundër bullizimit, kundër ekstremizmit.”

Ministrja Kushi u shpreh se rolin e punonjësve psiko-social dhe të oficereve të sigurisë në shkolla do të forcojë edhe më shumë.

“Shërbimi psiko-social po forcohet, jo çdo vit e më shumë, por çdo ditë e më shumë. Këtu jo vetëm kemi rritur numrat e punonjësve psiko social në institucionet tona arsimore, por punojmë çdo ditë për trajnimin e tyre. Së fundmi hartuam vitin e kaluar dhe protokollet për ta standardizuar, për ta unifikuar këtë shërbim në të gjitha institucionet arsimore, në të gjitha shkollat, po kështu këtë vit do të fokusohemi te kabinetet e shërbimit psiko-social, për t’i pajisur ato me të gjitha mjetet e duhura në mënyrë që ky shërbim të jetë sa më optimal, sa më cilësor”.

Znj. Kushi theksoi se një aspekt tjetër i rëndësishëm janë edhe oficerët e sigurisë. Ky shërbim nisi para disa vitesh me vetëm me 150 oficerë sigurie vetëm në shkollat e mesme, ndërkohë që vitin e kaluar u shtua me 75 të tjerë, duke përfshirë edhe shkollat 9 vjeçare që kanë një numër të lartë nxënësish.