Duke nisur nga kjo e mërkurë, deri në 10 shtator udhëtarët që kanë fluturime nga aeroporti “Nënë Tereza”, duhet të paraqiten tre orë para.

Njoftimin e rëndësishëm e ka bërë Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, për shkak të numrit të shtuar të pasagjerëve të kësaj periudhe.

“Tirana International Airport dëshiron t’ju informojë për një përditësim në lidhje me procesin e checkin dhe sigurisë në Tirana International Airport (TIA) nga sot deri më 10 shtator.

Për të siguruar udhëtim të qetë dhe për të akomoduar pasagjerët e shtuar gjatë kësaj periudhe, do t’iu kërkonim të gjithë pasagjerëve të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara kohës së planifikuar të nisjes.

Ju lutemi, merrni parasysh kohën e mundshme shtesë që kërkohet për kontrollin e bagazheve, kontrollet e sigurisë dhe çdo rrethanë të paparashikuar që mund të zhvillohet.

Kjo masë synon të përmirësojë përvojën e përgjithshme të udhëtimit për të gjithë pasagjerët. Si gjithmonë, siguria dhe komoditeti juaj mbeten prioritetet tona kryesore. Duke mbërritur herët, ju na lejoni të kryejmë procedurat e nevojshme me shpejtësi dhe efikasitet. Faleminderit për bashkëpunimin dhe presim t’ju shërbejmë gjatë udhëtimit tuaj nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës.“-thuhet në njoftim.