Policia e Kosovës gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm kreu kontrolle në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, teksa u arrestuan drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretarin Irfan Lipovica.

Arrestimi i tyre është bërë pasi dyshohet se janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtëtërore. Thuhet se emrat e tyre kanë dalë në përgjimet e publikuara për “skandalin e grurit dhe vajit”.

Gjithashtu, burime për mediat kosovare bëjnë me dije se forcat e policisë kanë zhvilluar kontrolle edhe në restorantin “Bukë e Zemër”, në prinësi të Ridvan Muharremit, mik i kryeministrit Albin Kurti. Këto kontrolle janë zhvilluar për arsye se Muharremi dyshohet se është ndërmjetës.

Ndërkohë, avokati i Muharremit, Mahmut Halimi tha se ndaj klientit të tij deri tani nuk ka një urdhërarrest, duke shtuar se të gjitha provat i kanë vendosur në dispozicion të Policisë.

Aksioni policor nisi me kontrolle në Ministrinë e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrjes. Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore.

Disa ditë më parë, Prokuroria Speciale nisi hetimet për mungesën e rezervave të grurit dhe vajit. Sipas medias Nacionale, një grup prokurorësh është angazhuar për të hetuar pagesat që ka kryer qeveria për t’u furnizuar me këto dy produkte bazike, furnizime këto që nuk arritën kurrë të rezervat e shtetit.