“Pse Shqipëria u bë një ndër destinacionet më të rëndësishme turistike të verës së këtij viti?” Kësaj pyetjeje përpiqet t’i japë t’i japë shpjegime agjencia e njohur italiane e lajmeve, AGI që në një shkrim të saj thotë se ‘vendi i shqiponjave’ u kthye në trend për italianët që kërkojnë destinacione të reja pushimi.

Udhëtimet drejt Tiranës sipas saj shënuan një rekord historik këtë verë. Ajo që ka tërhequr pushuesit ishte deti i bukur dhe i aksesueshëm me çmime të favorshme. Një nga arsyet kryesore pse Shqipëria u bë një destinacion kaq popullor këtë verë është kostoja e ulët për europianët.

Krahasuar me destinacionet e tjera turistike të rajonit, çmimet në Shqipëri janë përgjithësisht më të ulëta, si për akomodim ashtu edhe për ushqim e aktivitete. Kjo sipas saj do të thotë që turistët mund të shijojnë një përvojë me cilësi të lartë pa rrënuar kursimet.

Me plazhet e pacenuara, qytetet historike mjaft simpatike dhe peizazhet mahnitëse, Shqipëria po tërheq një numër në rritje udhëtarësh që kërkojnë aventura autentike dhe vende jashtë linjës tradicionale turistike.

Agjencia italiane thekson se kombinimi i bukurisë natyrore, pasurisë historike, kuzhinës së shijshme dhe ngrohtësisë njerëzore po pushton zemrat e italianëve në kërkim të përvojave të veçanta./m.j