Ish-presidenti amerikan Donald Trump do të dalë sot para gjykatës pas akuzës së ngritur për komplot për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020. Para nisjes së seancës, ai ka thënë se kjo akuzë është dëshmi e “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të Shteteve të Bashkuara nën presidencën e Joe Bidenit.

Siguria është duke u rritur në Uashington DC për seancën dëgjimore të së enjtes. Barriera metalike janë vendosur jashtë gjykatës federale ku do të lexohen zyrtarisht akuzat kundër Trump.

Struktura të ngjashme janë ngritur rreth ndërtesave të Kapitolit të SHBA, ku mbështetësit e Trump u rebeluan në janar 2021, të zemëruar me rezultatin e zgjedhjeve.
Shërbimi Sekret, i cili ofron mbrojtje për presidentët dhe ish-presidentët, ka paralajmëruar publikun se mund të ketë bllokada në trafik në qendër të Uashingtonit. Po ashtu është rritur mbrojtja edhe për gjyqtarët e përfshirë në këtë rast.

Trump, 77-vjeç, pritet të dalë para gjykatës, por të deklarohet i pafajshëm. Ndonëse e ka mundësinë e paraqitjes në gjyq edhe përmes video-lidhjes, ai pritet të dalë në seancë fizikisht.

Trump ka qenë në Uashington vetëm një herë pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë. Radha për ta parë atë teksa hyn në ndërtesë, ka nisur të rritet.

Aktpadia kundër ish-Presidentit amerikan Donald Trump përfshin akuza për komplot kundër Shteteve të Bashkuara dhe ndërhyrje ndaj dëshmitarëve, një rast i pashembullt ku një ish president akuzohet se u përpoq të minojë bazat e demokracisë, për të qëndruar në pushtet.

Ai akuzohet se së bashku me aleatët e tij u përpoq në mënyrë të paligjshme të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, megjithëse kishte humbur ndaj rivalit demokrat Joe Biden.

Përpjekjet e tij, që në fund dështuan, kulmuan me protestën e dhunshme të përkrahësve të tij në Kapitol, një prej kërcënimeve më serioze ndaj demokracisë amerikane në historinë moderne.

Kjo është akt-padia e tretë kriminale dhe e dyta në dy muajt e fundit ndaj ish-presidentit, i cili ka vënë sërish kandidaturën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

Para disa javësh, Prokurori i Posaçëm Smith e akuzoi atë se ka mbajtur në mënyrë të paligjshme, dhjetëra dokumente sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, pasi ishte larguar nga detyra dhe ia kishte fshehur ato qeverisë. Sipas ligjit amerikan, dokumentet duhet t’i ishin dorëzuar Arkivit Kombëtar.