Prokurorja e Xhorxhias, Fani Willis, bëri thirrje që procesi gjyqësor kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe 18 të akuzuarve të tjerë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 të nisë më 4 mars, gjë që do të ngarkonte më tej kalendarin e zotit Trumpi për vitin 2024, ndërsa ai kërkon emërimin e republikanëve për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë.
Data e gjykimit kundër zotit Trump do të caktohet nga gjyqtari i Gjykatës së Lartë të Qarkut Fulton, Scott McAfee, i cili do të dëgjojë çështjen në Atlanta, kryeqytetin e shtetit jugor të Xhorxhias. Avokatët e zotit Trump me siguri do të kërkojnë një datë shumë më të vonë, ndoshta pas zgjedhjeve presidenciale të muajit nëntor.
Por nëse zoti McAfee pranon kërkesën e prokurores, gjyqi do të fillojë një ditë përpara asaj që në botën politike të Shteteve të Bashkuara njihet si “super e marta”, kur 14 shtete mbajnë zgjedhjet për emërimin e kandidatëve presidencial. Zoti Trump do të jetë në fletëvotimin e republikanëve kundër një vargu kundërshtarësh.
Aktakuza e së hënës në Xhorxhia është e katërta në rreth katër muaj kundër ish presidentit amerikan. Me sfidat ligjore në rritje, në gjysmën e parë të viti 2024 ai mund të kalojë më shumë ditë në sallat e gjyqit sesa të bëjë fushatë për postin e presidentit.
Të gjitha gjyqet me të cilat përballet zoti Trump, 77 vjeç, pritet të zgjasin me javë. Ai ka thënë se me katër aktakuza është siguruar se do të rimarrë Shtëpinë e Bardhë. Mbështetja politike republikane për zotin Trump, sipas anketave kombëtare, ka mbetur e qëndrueshme. Por ai është ankuar me zemërim se akuzat janë krijuar për të dëmtuar fushatën e tij.
Janë gjithsej 91 akuza për vepra penale në të katër rastet kundër tij dhe nëse shpallet fajtor, ai mund të përballet me vite të tëra heqje lirie. Por zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat.
Data e propozuar nga prokurorja Willis do të binte ndesh me një çështje tjetër në Nju Jork ku procesi gjyqësor është caktuar për në fund të muajit mars, ndonëse prokurori atje ka lënë të kuptohet se do të ishte i gatshëm ta zhvendoste çështjen e tij në një datë tjetër.
Në çështjen e Nju Jorkut, zoti Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit në konglomeratin e tij të pasurive të patundshme për të fshehur një pagesë prej 130 mijë dollarësh për një aktore të filmave për të rritur, para fushatës së tij të suksesshme presidenciale të vitit 2016. Zoti Trump i ka mohuar pretendimet për atë aferë.
Në fund të muajit maj, zoti Trump është planifikuar të dalë para gjyqit në Florida për një aktakuzë prej 40 pikash të ngritur nga prokurori i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë, Jack Smith, i cili e akuzon ish presidentin se mbante në mënyrë të paligjshme dokumente shumë të ndjeshme të sigurisë kombëtare në pronën e tij në Mar-a-Lago në breg të oqeanit, pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në janar të vitit 2021.
Zoti Smith gjithashtu akuzoi zotin Trump në Uashington për përpjekje të paligjshme për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020. Ai ka kërkuar që procesi gjyqësor të fillojë më 2 janar të vitit 2024. Prokurorët thonë se mund të duhen katër deri në gjashtë javë për të paraqitur rastin e tyre kundër ish-presidentit.
Avokatët e zotit Trump pritet të propozojnë datën e dëshiruar të gjykimit për çështjen e Uashingtonit të enjten. Gjykatësja e rastit Tanya Chutkan thotë se do të caktojë datën e gjykimit më 28 gusht./VOA