“Rruga e Malësorëve”, e cila lidh Shkozën me Dajtin dhe do t’ju shërbejë tre mijë banorëve të Njësisë 1 në kryeqytet, është një tjetër premtim i mbajtur nga Bashkia e Tiranës. Në rrugën e re, e cila është pajisur me gjithë sinjalistikën e nevojshme, ishte ditën e sotme kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili tha se në çdo njësi po ndërhyhet në nivel kapilar për infrastrukturën e çdo blloku banimi.


 
“Jam shumë i kënaqur nga cilësia e punimeve dhe nga kolegët që e kanë kaluar korrikun dhe gushtin në krye të detyrës, për t’i dhënë dum një premtimi që e kishim bërë në zgjedhje. Sigurisht, disa premtime marrin më shumë kohë – Teatri i Ri do të marrë 2-3 vjet – disa të tjera s’kanë nevojë të presin kaq shumë për t’u mbajtur, siç është Rruga e Malësorëve, një rrugë e cila nga vetë emri na kujton historikun e viteve ‘90, ku shumë qytetarë e kishin të lidhur jetën me zonat më periferike të Shqipërisë, sidomos zonat e Malësisë së Veriut, që kanë ardhur në Tiranë, e kanë filluar nga zero, dhe me paratë e emigracionit kanë ndërtuar shtëpi jashtëzakonisht dinjitoze, por pa infrastrukturë, pa ndriçim, pa urbanizim. Kjo është një zonë që lidh dy njësi administrative, Tiranën urbane me Tiranën rurale, dhe premtimi për të gjithë ata qytetarë që na dhanë besimin për të bërë Rrugën e Malësorëve ende pa përfunduar vera, mbahet sot,” u shpreh Veliaj.


 
Sot, tha kryebashkiaku, jemi duke kemi diskutuar çështje të “botës së parë” jo të “botës së tretë”. “Më përpara diskutonim a mblidhen apo nuk mblidhen plehrat në Tiranë. Sot as që diskutohet që Tirana është e pastër dhe se çfarë hyn në landfill nuk del më nga Tirana. Sot nuk diskutohet fare që do të kemi një shesh kryesor, një Bulevard të Ri, një Unazë të Madhe, një Pazar, Liqenin e Farkës, Liqenin  e Tiranës. Sot nuk diskutohet fare që çdo shkollë e re do të jetë si shkolla “Kosova” dhe “Sami Frashëri”. Më vjen mirë që tani kemi mbërritur në një fazë ku të fokusohemi në nivelin kapilar. Kemi bërë gjithë arteriet kryesore të qytetit dhe tani jemi duke punuar dhe po shfrytëzojmë maksimalisht verën, teksa njerëzit janë ende me pushime, që të bëhen të gjitha rrugët, sidomos rrugët periferike dhe të ndërmjetme si “Xhon Belushi”, një rrugë e ndërmjetme mes Dajtit e Njësisë 4, apo “Rruga e Malësorëve”, sepse unë besoj se kur njësitë lidhen me të njëjtën cilësi infrastrukture, vërtet ndihesh qytetar Tirone,” deklaroi më tej ai.

Veliaj tha se 10 shkolla të reja hapen me të njëjtat standarde si ajo “Kosova” dhe “Sami Frashëri” këtë vit në Tiranë.