Deputeti Ukrainas, Oleksiy Goncharenko, një mbështetës i fuqishëm i pavarësisë së Kosovës, i cili muaj më parë nisi një peticion me një kërkesë të qartë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Kievi zyrtar, ka reaguar pas takimit që presidenti i vendit të tij ka realizuar me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç të martën në Athinë.

Pas një darkës joformale Vuçiç tha se përshtypja e tij pas bisedës me Zelenskyn është se Ukraina nuk do të ketë ndonjë ndryshim pozicioni në raport me pavarësinë e Kosovës.

Megjithatë sipas deputetit Goncharenko, Zelensky nuk duhet të komprometojë parimet e Ukrainës dhe duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës, meqë sipas tij Serbia është aleate e Rusisë.

“Ne nuk do të mund ta tërheqim Serbinë në anën tonë. Dhe kjo nuk është për shkak se ne jemi shumë të këqij, por sepse popullsia e Serbisë mbështet Rusinë në një shumicë të pabesueshme. A duhet të takohemi atëherë? Po sigurisht. A duhet të komprometojmë parimet tona? Jo. Ukraina duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës”, ka shkruar ai në llogarinë e tij në platformën e ri-emëruar rishtazi X.