Është zbardhur dëshmia e të arrestuarit Siar Konti, i cili të dielën e kaluar dyshohet se i ka vënë zjarrin makinës “Ferrari” të këngëtarit Rigels Rajku, i njohur me nofkën “Noizy”, të dielën e kaluar në Durrës. Konti është kapur nga kamerat e sigurisë teksa shkon në vendin e ngjarjes dhe hedh lëndë djegëse mbi makinën 300 mijë euroshe, për t’u larguar me shpejtësi.

Përpara policisë, Konti është shprehur se është paguar për të kryer këtë akt nga reperi tjetër Kleviol Ahmeti, me emrin e artit (Clevio Serbiano). Ai shton se ka marrë dhe një shok tjetër për të kryer zjarrvënien.

Policia e Lushnjes ka shkuar në banesën e Ahmetit pas kësaj deklarate, por ai nuk është gjetur aty. Kujtojmë se Kleviol Ahmeti dhe Noizy janë përplasur dhe më herët me njëri-tjetrin, teksa ky i fundit kishte bërë dhe një kallëzim penal ndaj tij për kërcënim.