Policia e Tiranës ka kapur dhe arrestuar 23 -vjeçarin, Enrik Ismalaj që tentoi të vidhte në një filial banke në Unazën e Re.
Mësohet se 23-vjeçari ka tentuar ta grabisë filialin e kësaj banke, duke hapur derën kryesore me mjete rrethanore, por kanë qenë banorët e zonës që kanë njoftuar menjëherë forcat e policisë, po ashtu edhe sinjali i bankës që ka njoftuar policinë private.
Kur është marrë në pyetje, ai ka mohuar se kanë ai personi që ka tentuar të grabisë bankën. Ismalaj, u zbulua jo vetëm nga shenjat e gishtave, por po ashtu edhe në saj të kamerave të sigurisë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
Falë ndërhyrjes në kohë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari që tentoi të vidhte në një filial banke, në Unazë të Re.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe më informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas, në rrugën “Teodor Keko”, në Unazë të Re, po tentonte të vidhte në një filial banke, kanë organizuar menjëherë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
Si rezultat i punës së mirëorganizuar është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Teodor Keko”, shtetasin në tentativë për të vjedhur në një filial banke.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, mbetur në tentativë, dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.