Zgjidhja e ngërçit lidhur me eksportet e grurit të Ukrainës përmes Detit të Zi, për presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, është në dorë të perëndimorëve. Sipas tij, ato do duhet të mbajnë premtimet që kanë dhënë, për të realizuar një marrëveshje të qëndrueshme.
“Unë mendoj se një zgjidhje mund të gjendet. Javën e kaluar, në bisedën tonë telefonike me zotin Putin, u informuam për kërkesat e paraqitura nga Rusia. Zgjidhja e problemit varet nga mbajtja e premtimeve nga vendet perëndimore. Masat që do të lejonin që atmosfera pozitive e krijuar nga Nisma e Detit të Zi të shndërrohej në një armëpushim, pastaj në një marrëveshje paqeje të qëndrueshme, nuk u morën”, tha Erdogan.
Moska dëshiron që të hiqen barrierat perëndimore të lidhura me sanksionet ndaj eksporteve të produkteve të saj bujqësore, veçanërisht të plehrave.
“Pozicioni ynë është i qartë” për këtë çështje, këmbënguli Erdogan, i cili javën e kaluar i bëri thirrje Putinit “të shmangë përshkallëzimin”.
“Nëse lufta shtrihet në Detin e Zi, do të jetë një fatkeqësi për rajonin tonë”, përfundoi ai.