Fluks lëvizjesh janë shënuar në Pikën Kufitare të Kapshticës gjatë fundjavës, ku më shumë se 19 mijë udhëtarë kanë hyrë dhe kanë dalë nga Shqipëria. Ndërsa përgjatë 24 orëve të fundit, numri më i lartë i lëvizjeve është shënuar në dalje të territorit shqiptar.
Pika kufitare e Kapshticës po përballet këtë fundjavë me një numër të lartë udhëtarësh, kryesisht shqiptarë të cilët po kthehen pas pushimeve në vendin fqinj, Greqi.
Radhët e automjeteve për shkak të fluksit të madh kanë qenë të gjata në zonën neutrale e deri tek hyrja e doganës tonë.
Shkaku i radhëve sipas policisë kufitare vijon të mbetet kapaciteti i reduktuar i sporteleve greke, ndërsa në palën shqiptare prej mëngjesit janë hapur të gjitha sportelet për të përballuar fluksin dhe për të shmangur radhët.
Aktualisht vijon të ketë fluks ndërsa qytetarët shprehen se një gjë e tillë nuk është normale pasi nuk e dinë edhe sa gjatë duhet të presin për të kaluar në anën tjetër.
Përgjatë dy ditëve nga kjo pikë kalimi kanë hyrë dhe kanë dalë 19000 shtetas ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë 4163 dhe kanë dalë 5862 shtetas.
Ky fluks mendohet të zgjasë deri në fund të gushtit.