Një 34-vjeçar është arrestuar nga policia në Gjirokastër, pasi u kap duke transportuar 22 emigrantë me furgon.
Gjatë tentativës për t’iu larguar policisë në mesnatë, aksidentoi dy automjete dhe dëmtoi një punonjës policie, cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Blutë” sekuestruan mjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe 3 celularë.
Njoftimi i policisë:
DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 72”.
Vihet në pranga 34-vjeçari që transportonte 22 emigrantë, me furgon, dhe gjatë tentativës për t’u larguar nga shërbimet e Policisë, në mesnatë, aksidentoi dy automjete dhe dëmtoi një punonjës policie.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 72”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit., 34 vjeç, banues në Lushnje.
Gjatë operacionit, në aksin nacional Përmet-Këlcyrë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit furgon tip “Opel”, me drejtues shtetasin 34 vjeçar, i cili po transportonte kundrejt pagesës, 22 emigrantë nga vendet MENA.
Në tentativë për të shmangur kapjen nga shërbimet e Policisë, shtetasi ka aksidentuar dy automjete që ndodheshin në rrugë, si dhe ka dëmtuar lehtë një punonjës policie që ishte në shërbim, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon dhe 3 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.