Një tren në Itali përplasi për vdekje pesë punëtorë që po punonin në shina në zonën e Torinos. Dy të tjerë shpëtuan mrekullisht. Aksidenti ka ndodhur, siç raportojnë mediat italiane, pak pas mesnate në afërsi të stacionit hekurudhor të Brandizzo-s. Treni po udhëtonte me 160 kilometra në orë.
Mes viktimave, më i riu ishte 22 vjeç. Punëtorët po kryenin punë mirëmbajtjeje në stacion kur u përplasën dhe tërhoqën zvarrë me qindra metra. “Rfi shpreh dhimbje të thellë përballë asaj që ka ndodhur dhe shpreh ngushëllime dhe afërsi familjarëve të punëtorëve të ndjerë”, thuhet në njoftimin e Hekurudhave.
Kryetari i bashkisë Brandizzo, Paolo Bodoni reagoi për ngjarjen e rëndë: “Është një tragjedi. Nuk mund të përjashtohet që mund të ketë qenë një gabim komunikimi, në çdo rast do të duhet të pritet përfundimi i hetimeve. Për momentin nuk dihet identiteti i viktimave, por nuk janë bashkëqytetarë tanë”.