Koronavirusi nuk është zhdukur. Ai është në qarkullim me virozat e tjera të stinës. Mjekët konstatojnë infektime nga COVID-19 edhe këtë periudhë dhe thuajse tek të gjitha grupmoshat, nuk janë shifra alarmante dhe as në forma agresive. Simptomat e koronavirusit ngatërrohen me ftohjen në verë apo virozat e tjera. Mirëpo te disa pacientë kryesisht fëmijë, ai ka shkaktuar rëndim të shëndetit dhe nevojë për shtrim në spital.
Vetëm javën e fundit, 7 fëmijë ishin pacientë COVID në pediatrinë infektive. Me uljen e temperaturave ka rënë edhe fluksi i urgjencave dhe vizitave edhe në Pediatrinë e QSUT. Mirëpo, freskimi i motit ka sjellë probleme tipike që lidhen kryesisht me rrugët e frymëmarrjes.
Shefja e shërbimit të pediatrisë infektive, Gjerogjina Kuli u bën thirrje prindërve të jenë të kujdesshëm këtë periudhë, si për problemet që vijnë nga luhatjet e motit, mbivendosjet e virozave të ndryshme, por edhe shqetësime të tjera gjatë pushimeve. Sipas Kulit, në çdo rast, prindi duhet të mbajë kontakt me mjekun e familjes.