Komisioni Evropian nuk është i përqendruar në afate kohore në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian por për t’i ndihmuar vendet kandidate për të përparuar në këtë proçes. Nëpërmjet kësaj deklarate ditën e martë zëdhënësja e KE-së, Dana Spinat, nuk është në një mëndje me pretendimin e Presidentit të Këshillit Europian Charles Michel që viti 2030 të caktohet si afat deri kur vendet e tashme kandidate dhe BE-ja të jenë të gatshme për zgjerim.

“Ne nuk jemi të fokusuar në një datë, por të fokusuar në punën me vendet kandidate për t’u përgatitur dhe për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian”, tha zëdhënësja e Komisionit Europian, Dana Spinant në një konferencë të përditshme për shtyp të martën, 29 gusht 2023.

Ajo theksoi se procesi duhet të mbetet i bazuar në merita dhe se kandidatët duhet të lëvizin në përputhje me suksesin e shënuar në përmbushjen e kushteve.
“E kemi thënë gjithmonë se zgjerimi është një proces i bazuar në merita çka nënkupton se një kandidat duhet t’i bashkohet bllokut kur të jetë gati. Nuk jemi të fokusuar në afat kohore, por tek bashkëpunimi i afërt me vendet kandidate për t’i përgatitur për t’iu bashkuar bllokut. Jemi të përqendruar tek reformat, investimet, apo tek transformimi i ekonomive të këto shteteve.”

Zëdhënësja e Komisionit Evropian përseriti se suksesi në zgjerim kërkon që edhe kandidatët edhe BE-ja të bëhen gati. Ajo ka paralajmëruar se liderët e BE-së do të diskutojnë për zgjerimin në samitin e Granadës në Spanjë.

“Kemi instrumente për t’i ndihmuar vendet kandidate për t’u afruar me BE-në edhe para se të bëhen anëtare. Komisioni ka dëshmuar se është i përkushtuar që ta mbajë procesin e zgjerimit si prioritet.”
Spinat tha se “nuk është në dijeni nëse ka pasur kontakte mes Charles Michel dhe Ursula von der Leyen për këtë çështje”, para se presidenti i Këshillit Europian të dilte me propozimin e tij.

Gjatë fjalimit në Forumin Strategjik të Bledit, Mishel përsëriti disa herë se tani e tutje vendeve kandidate u duhet referuar si “anëtaret e ardhshëm të BE-së”.