Policia e Kosovës do të reduktojë praninë e efektivëve rreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës, si pjesë e përpjekjeve për shtensionimin e situatës. Në bashkëpunim me KFOR dhe EULEX u vendos që efektivët të ulen me 25%, pasi u vlerësua se situata në veri të Kosovës është më e qetë.

Ky vendim nga qeveria, vjen pasi Albin Kurti lajmëroi më 11 korrik se ka rënë dakord që do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat me shumicë serbe me qëllim për të ulur tensionet me Serbinë. Dakordësia u arrit me 10 korrik në Bratislavë në një takim ndërmjet kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe të dërguarit evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Tesnionet mes dy vendeve u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë, pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët, që kërkojnë zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për më shumë vetëqeverisje.

Diplomacia perëndimore që atëherë ka kërkuar uljen e tensioneve përmes pezullimit të operacioneve policore në veri, zhvendosjes së kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve të Kosovës.

Qeveria e Kosovës është vënë në përpjekje për të siguruar bazën ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve, duke hartuar një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Janë dy rrugë për të mundësuar shpalljen e zgjedhjeve të reja; përmes dorëheqjeve të kryetarëve aktualë dhe peticionit që sipas autoriteteve në Kosovë do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.

Hapat për shtensionimin e situatës

1-Largimi i 25% i trupave është hapi i parë nga marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës.

2-Hapi i dytë është policia e Kosovës që kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale.

3-Hapi i tretë: Më pas qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve.

4-Në Hapin e katërt: BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.