“Një mal betoni në mes të Tiranës, pjellë e Erion Veliajt dhe e Edi Ramës”. Ky do ishte denoncimi që Sali Berisha do t’i kishte bërë kullës që po ngrihet në sheshin Skënderbej. Por kësaj radhe Sali Berisha, ka vendosur të heshte. Arsyeja? Ndërtuesit e këtij pallati janë financues kryesorë të Foltores dhe të afërm me familjen e tij të ngushtë, aq sa partia demokratike zyrtare ka kërkuar sot nga SPAK, të hetojë lidhje për pastrim parash.

Kulla, që do të quhet Mali i Tiranës, dhe do të ndërtohet në mes të kryeqytetit, ka ndezur politikën në këto temperatura të larta gushti. Jo dy kampet kundërshtare, por Foltoren e Sali Berishës.

Ndërtesa të larta në Tiranë janë bërë por kjo ka një specifik tjetër, që e përlyen opozitën, atë të vërtetën që e cilëson Berisha, në pazare. Pas kullës prapa Teatrit të Operas dhe Baletit, e cila pritet të jetë më e larta në rajon, qendrojnë biznesmenë të lidhur me Shkëlzen Berishën.

Projekti “Mount of Tirana” do të ndërtohet nga “Nova Construction 2012” e cila rezulton me pronar 91% të aksioneve Ilir Shtufin dhe 9 % Kujtim Shtufin. Ky biznesmen ka qenë dhe sponsor i Foltoreve të Sali Berishës, që u nisën në atë kohë për të larguar Lulzim Bashën nga PD-ja.

Sali Berisha reagoi pasi mediat konstatuan se pas kullës qëndrojnë biznesmenë të lidhur me të birin, Shkëlzen Berishën. Por reagimi i tij ishte ndryhse nga ato që ai zakonisht ka bërë, duke mos përmendur asnjë emër të atyre që qëndrojnë pas saj. Ai nuk përmendi emrin e biznesmenit, që do të ndërtojë kullën 58 katëshe pas Teatrit të Operas. Ai akuzoi Edi Ramën.

“Shpifje dhe trillime të mirëfillta nga kuzhina Fuga-Veliaj”. Dhe u përpoq të jetë sfidues dhe nga mborjtja kaloi në sulm.

“E ftoj Edi Ramën të anulojë menjëherë lejen”
Por Sali Berisha nuk dha asnjë argument, pse leja e ndërtimit duhet të anulohet, përvec asaj që ajo lidhet dhe me të dhe familjen e tij.