36,592 pushues vendas dhe të huaj kanë marrë shërbime cilësore, nga personel i kualifikuar, në 30 qendrat shëndetësore verore të hapura përgjatë vijës bregdetare dhe zonave të turizmit malor gjatë këtij sezoni.
Kështu konfirmoi sot ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ndau opinionet e mjekëve që shërbejnë pranë këtyre qendrave, por edhe të pushuesve dhe turistëve të huaj që kanë marrë shërbim pranë tyre.
Manastirliu theksoi se 96 % e pushuesve që kanë marrë shërbimet në këto qendra, nuk janë transferuar drejt spitaleve, pasi kanë marrë shërbimin e duhur dhe të kualifikuar në qendrën shëndetësore, pranë vendpushimit.
Sipas mjekëve, këtë vit vërehet numër më i shtuar rastesh krahasuar me vitet e tjera.
“Kemi pasur edhe raste që kanë qenë relativisht të vështira për t’u menaxhuar, u është dhënë ndihma e parë dhe janë drejtuar drejt spitalit”, u shpreh një mjeke.
Nga ana e tyre, pacientët shprehen të kënaqur për shërbimin.
“Një shërbim i mirë dhe shumë cilësor”, thanë dy turiste të huaja që iu drejtuan qendrave shëndetësore verore pas problemeve me shëndetin.
Në të gjithë vendin janë 30 qendra shëndetësore verore që ofrojnë shërbime, vizita, konsulta, mjekime, me përforcim të personelit shëndetësor, me stafe të cilat trajnohen në vazhdimësi, për të menaxhuar rastet urgjente, e po ashtu përforcim me barna dhe materiale mjekësore.
Urgjenca Kombëtare është po ashtu në gatishmëri të plotë për t’iu përgjigjur të gjitha thirrjeve për ndihmë mjekësore në numrin unik 127.